“Presidenti duket sikur ka mbyllur sytë”, ish-sulmuesi i Partizanit nuk kursehet pas derbit: E kanë gënjyer dhe…
Partizani u mposht nga Dinamo me rezultatin 1-0 në “Elbasan Arena”. Të kuqtë tashmë rrezikojnë pjesëmarrjen në Final Four, pasi Elbasani ndjek me 4 pikë më pak.

Edmond Dosti, ish-sulmues i njohur i Partizanit, ka reaguar për situatën aktuale. Dosti i drejtohet drejtpërdrejt presidentit të Partizanit, Gazment Demi, për të reaguar.
Postimi i Edmond Dostit:
“Partizani ka nevojë për një revolucion gjithëpërfshirës. Këtë e bëjnë njerëzit revolucionar dhe që marrin përgjegjësi. Duhen figura që e njohin dhe e dinë peshën e fanellës dhe emrin e klubit dhe jo personazhe që fshihen pas kolltukut të presidentit, të cilët i kemi parë në këto vitet e fundit.
Partizani ka nevojë për njerëz të rinj dhe energjikë, për figura që janë të aftë për të bërë punën dhe për të marrë përgjegjësitë. Po të kërkosh, emra dhe njerëz të tillë gjen plot.
Presidenti a ka përgjegjësi në këtë realitet të Partizanit.
Sigurisht që ai ka përgjegjësinë kryesore, pasi duket sikur i ka mbyllur sytë përpara këtyre dështimeve që e ndjekin ekipin nga sezoni në sezon. Kjo ndodh edhe nga fakti se nuk është personazh i kësaj fushe, pasi vetë e ka pranuar se nuk merr vesh nga sporti, por dëgjon persona të ndryshëm, të cilët e kanë ngopur me gënjeshtra.
Prandaj ka ardhur koha që presidenti të zgjedhë njerëzit e duhur dhe të largojë ato persona që deri tani e kanë gënjyer dhe asnjëherë nuk kanë marrë përgjegjësitë për punën që kanë bërë.
PMTP, Forza Partizani”.

PANORAMASPORT.AL













