Prapaskenat e firmës së Bregut, u shmang ndërhyrja e një rivali. Vetëm një titullar nuk i “bindet” Dinamos
Dinamo ka nisur përgatitjet për Kupat e Europës prej disa ditësh dhe duket se gjithçka tashmë ka marrë formë në kampin blu. Veç stërvitjes e cila po zhvillohet me skuadër të cunguar, pjesa tjetër e përgatitjeve po shkon sipas planit dhe thuajse të gjithë liderët e skuadrës, tashmë kanë arritur një akord me klubin për të rinovuar kontrata e tyre, ku vetëm Teikseira ende nuk po bindet për kontratën e re.

Sakaq, edhe çështja Bregu duket se ka marrë fund, duke qenë se sulmuesi vlonjat ka arritur tashmë akordin dhe gjithçka mund të quhet e përfunduar për të vijuar së bashku. “Panorama Sport” ka mësuar nga burime pranë klubit dinamovit se lojtari kishte kërkuar pak më shumë kohë për pushime dhe për të shqyrtuar gjithashtu ofertat gjatë kësaj kohe.
E mesa duket, koha i ka mjaftuar Bregut për të vendosur që të vazhdojë me Dinamon edhe për të paktën një sezon, megjithëse pritet të rinovojë për 2 vitet e ardhshme me klubin ku aktualisht është pjesë dhe ku ishte padyshim golashënuesi më i mirë në skuadër. Sulmuesi vlonjat ende nuk është rikthyer në skuadër dhe ditën e sotme, pritet të rikthehet për të qenë në dispozicion të trajnerit Ilir Daja dhe së bashku me ekipin, do të udhëtojë javën tjetër në drejtim të Ohrit për të vijuar me fazën përgatitore.
PRAPASKENAT- Dejvi Bregut i skadon kontrata në fund të muajit qershor dhe natyrisht pas tij u vunë disa klube duke ditur kualitetin që sulmuesi vlonjat ka. Megjithatë, Teuta ishte më konkrete në bisedime me menaxherin e lojtarit, megjithatë palët nuk kanë arritur në një akord. Kështu, Dinamo ka përfituar dhe ka arritur të bindë sulmuesin për të fi rmosur, edhe pse fi rma pritet që të vijë ditët në vijim megjithëse tashmë nuk ka asnjë dyshim për të ardhmen e tij.
RINOVIMET E TJERA – Dinamo ka qenë shumë aktive në këto ditë të para të muajit qershor, ku edhe pse ende nuk ka prezantuar asnjë afrim, blutë kanë rinovuar me Ditën, Teqjen, Qardakun, Vilën, Alijin dhe Bregun. Sakaq, blutë kanë firmosur edhe me Almir Ajzerajn dhe pritet të prezantohet pas pak ditësh. I vetmi lojtar me të cilin ende nuk kanë një marrëveshje, është Andre Teikseira që sërish po shmang rinovimin dhe është duke shqyrtuar ofertat që kanë mbërritur në drejtim të tij.
ERJON ALLARAJ – PANORAMASPORT.AL













