Portieri Ruçi flet para sfidës me Flamurtarin: Vora në rrugën e duhur, do të vazhdojmë me surpriza

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 21, 2025 | 8:24

Portieri Ruçi flet para sfidës me Flamurtarin: Vora në rrugën e duhur, do të vazhdojmë me surpriza

Skuadra e Vorës vijon përgatitjet për ndeshjen e radhës në Kategorinë Superiore, ku sot do të përballet në Laç me Flamurtarin. Ky takim shihet si një sfidë shumë e rëndësishme për ekipin e drejtuar nga trajneri Bellai, i cili kërkon të ruajë ecurinë pozitive të javëve të para.

vora

Gjatë javës, vorakët kanë punuar me intensitet të plotë. Pas një dite pushimi të martën, skuadra është rikthyer në stërvitje me katër seanca të tjera përgatitore, të cilat kanë mjaftuar për trajnerin që të testojë disa zgjidhje taktike dhe të vendosë për formacionin titullar.

Bellai është fokusuar jo vetëm te ndërtimi i lojës sulmuese, por edhe te reparti mbrojtës, ku ka eksperimentuar me dy variante. Trajneri e ka provuar skuadrën me një rreshtim klasik me katër mbrojtës, por edhe me një mbështetje shtesë nga dy mesfushorë që do të ndihmojnë në prapavijë. Kjo, për shkak të mungesave që prekin rëndë skuadrën. Dy lojtarët Ruzgis dhe Hasaj mbeten jashtë fushave për shkak dëmtimesh, ndërsa Jurgen Vrapi do të mungojë si pasojë e kartonit të kuq të marrë në ndeshjen e fundit ndaj Teutës.

Megjithatë, pavarësisht këtyre problemeve, atmosfera në kampin e Vorës është optimiste. Lojtarët kanë marrë ngarkesën e duhur gjatë stërvitjes dhe duken të gatshëm për të dhënë maksimumin. Për këtë takim foli edhe portieri i skuadrës, Shkëlzen Ruçi, i cili është shndërruar në një nga figurat më të rëndësishme të këtij fillimsezoni. Ai ka bërë paraqitje të mira, ndonëse ka marrë dy kartonë të verdhë në përballjet me Tiranën dhe Teutën.

“Do të jetë një ndeshje e fortë, e bukur dhe me ritëm. Flamurtari ka ndërtuar një ekip me lojtarë cilësorë dhe me përvojë, ndaj kjo do ta bëjë sfidën të vështirë për ne. Megjithatë, ne kemi bërë një javë të plotë stërvitore duke iu përkushtuar këtij takimi, kemi parë edhe videot e ndeshjeve të tyre dhe e dimë mirë se çfarë na pret. Do të luftojmë për maksimumin e pikëve, pavarësisht mungesave që kemi përsëri edhe këtë javë,” tha fillimisht gardiani i vorakëve.

Ruçi theksoi se grupi është në një rrugë të drejtë dhe se besimi për rezultate të tjera pozitive është i madh.

“Mendoj se skuadra jonë është në rrugën e duhur. Po rritemi si grup, po përmirësohemi dhe po marrim rezultatet që na japin siguri për të ardhmen. Do të vazhdojmë ecurinë tonë me rezultatet pozitive, duke parë vetëm veten tonë, pa qenë e nevojshme të presim gabimet apo rezultatet e skuadrave të tjera. Ne kemi objektivin tonë dhe duhet të mbetemi të fokusuar vetëm tek ai,” përfundoi portieri vorak.

A. DUSHKU-PANORAMASPORT.AL