Polemikat për ndeshjen me Tiranën, Bylisi ndihet i vjedhur: Na mungojnë disa pikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 29, 2025 | 21:05

Polemikat për ndeshjen me Tiranën, Bylisi ndihet i vjedhur: Na mungojnë disa pikë

Nga barazimi me Tiranën, Bylisi është rikthyer menjëherë në grumbullim dhe stërvitje, pasi mallakastriotët do të kenë një duel mjaft të rëndësishëm, me Egnatian kryesuese të vendit të parë. Por, duket se barazimi me Tiranën ka lënë shije të hidhur, sepse në Ballsh nuk e përtypin faktin e dhënies së penalltisë, që sipas tyre ishte një shpikje e Koçit dhe anësorëve, por edhe VAR-it.

17259560682718425086

Madje, edhe në diskutimet që janë bërë dje në mjediset e stërvitjes, diskutimet kanë qenë për tendencën e treguar, që nga fillimi i lojës, bashkë me dyshen Mersinasi e Kasa, por edhe me trupën e VAR-it. Madje, dje është analizuar ndeshja, jo vetëm për skuadrën, por edhe për të evidentuar rastet e ndeshjes dhe dëmtimet që i janë bërë Bylisit, ku jo vetëm penalltia, por aksioni dhe VAR-i nuk kanë analizuar faullin ndaj Ilieskit.

Edhe kartonin e verdhë, që sipas ballshiotëve u është dhënë me dashakeqësi ndaj Përgjonit, në të 44-ën, ndërkohë që ata numërojnë mbi 5-6 faulle të Soler, ndërhyrje brutale dhe nuk ka marrë karton nga Koçi. Madje, sipas tyre, synimi i arbitrave ishte jo vetëm sfida me Tiranën, por edhe dëmtimi i Bylisit edhe për sfidën e radhës me Egnatian.

Tendenca ndaj ballshiotëve ka qenë e dukshme edhe këtë sezon, sidomos në sfidat me Teutën në Durrës, Dinamon në Elbasan, Laçin në Laç, Skënderbeun në Ballsh, ku iu mohua penallti, kur rezultati ishte 0-0, në Rrogozhinë, në fazën e dytë, por edhe kjo sfidë e fundit me Tiranën në “Arena Kombëtare”, ku duket se gjykimi dëmtoi Bylisin me kartonë, por edhe me atë penallti skandaloze të shumëpërfolur… Pesë ndeshje nga fundi i sezonit dhe 15 pikë në lojë, ballshiotët do të luajnë gjithçka për gjithçka.

RIKTHIMET – Ballshiotët do të kenë gati edhe Malomon, mesfushorin e dalluar këtë sezon, e të rikthyer nga pezullimi, por edhe Markun gati, ndërsa shpresohet shumë te Kamara në këtë duel kaq të rëndësishëm në shtëpi. Skuadra do të japë gjithçka për gjithçka ndaj Egnatias, duke synuar me patjetër rezultat pozitiv.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL