“Pogradecin e kalojmë me karakter dhe qetësi”, Kotobelli: Luajmë historinë e Teutës, pa asnjë justifikim
Në prag të një prej sfidave më të rëndësishme të sezonit, Teuta do të përballet sot në Durrës në orën 16:00 me Pogradecin në ndeshjen “play out”, aty ku objektivi i vetëm mbetet mbijetesa në Superiore.
Para këtij takimi vendimtar, kapiteni Blerim Kotobelli për “Panorama Sport” flet për atmosferën në skuadër, presionin e rezultatit dhe mesazhin për tifozët durrsakë. Ky takim vlen sa një sezon për të dy ekipet, po padyshim pesha më e madhe bie te Teuta, që në pjesën e fundit të sezonit pësoi një rënie të pakuptueshme, ku nga synimi për “Final Four” përfundoi në zonën “play out”, ku u duhet një ndeshje shtesë për të siguruar mbjetesën në elitë.
Të besuarit e trajnerit Hodo janë të favorizuar për faktin se luajnë në shtëpi dhe pritet që edhe mbështetja e tifozëve durrsakë të jetë maksimale. Dhe që prezenca të jetë sa më e madhe, klubi ka vendosur që hyrja në tribunën përballë të jetë e lirë dhe mbështetja për “Djemtë e Detit” të jetë e maksimale dhe në fund të gjithë së bashku të gëzojnë për arritjen e këtij objektivi minimal, por shumë I rëndësishëm për nisjen e një rrugëtimi të ri dhe ndryshe në Kategorinë Superiore.
Blerim, nesër është një nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit për Teutën. Si është atmosfera në skuadër?
Atmosfera është shumë pozitive dhe të gjithë e dimë rëndësinë e kësaj sfide. Kemi punuar me përkushtim gjatë gjithë javës dhe jemi të fokusuar maksimalisht për të arritur objektivin.
Çfarë duhet të bëjë Teuta ndryshe në këtë përballje ndaj Pogradecit?
Duhet të futemi në fushë me karakter dhe qetësi. Ndeshje të tilla fitohen me përqendrim, disiplinë taktike dhe shpirt gare. Besoj se grupi është gati ta japë maksimumin.
Sa ndikon fakti që ndeshja luhet në Durrës dhe me mbështetjen e tifozëve?
Tifozët tanë janë një forcë shumë e madhe për ekipin. Në momente të vështira ata na kanë qëndruar pranë dhe nesër presim mbështetje maksimale. Duam t’i bëjmë krenarë.
Pogradeci vjen gjithashtu shumë i motivuar. Çfarë prisni nga kundërshtari?
Presim një skuadër luftarake, sepse edhe ata kanë objektivin e tyre. Por ne duhet të mendojmë më shumë për lojën tonë dhe të imponojmë ritmin që nga minuta e parë.
Si kapiten, çfarë mesazhi ke për shokët e skuadrës para kësaj sfide?
Të luajmë me zemër dhe përgjegjësi për fanellën e Teutës. Këto janë ndeshje që kërkojnë personalitet dhe besim te vetja.
ZAMIR QYPI-PANORAMASPORT.AL













