Plot dhjetë të pezulluar, një “ushtri” rrezikon për javën tjetër të Superiores

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 18, 2026 | 23:13

Plot dhjetë të pezulluar, një “ushtri” rrezikon për javën tjetër të Superiores

Faza e tretë e kampionatit në Kategoria Superiore po hyn në një moment delikat, ku çdo pikë peshon sa ari dhe çdo mungesë mund të bëjë diferencën mes objektivit dhe dështimit. Në prag të javës së 25-të dhe 26-të, shumë skuadra do të duhet të bëjnë llogaritë me pezullime për shkak të kartonëve të verdhë të akumuluar, një situatë që pritet të ndikojë ndjeshëm në balancat e garës. Plot dhjetë futbollistë kanë arritur kuotën e katër kartonëve të verdhë dhe do të mungojnë automatikisht në raundin e 25- të.

Kategoria-Superiore

Tek Elbasani do të mungojë Fatjon Bunjaku, një element i rëndësishëm në skemat e skuadrës verdheblu. Në një moment kur ekipi po lufton për stabilitet në renditje, çdo mungesë në formacionin bazë mund të ndikojë drejtpërdrejt në rezultat. Dinamo humbet Eridon Qardakun, ndërsa Egnatia do të jetë pa Eljon Sotën. Të dyja skuadrat janë në garë për objektiva madhorë dhe rotacioni do të jetë i detyrueshëm. Te Vora mungon Florian Beqiri, ndërsa Partizani do të duhet të zëvendësojë dy lojtarë njëherësh, Paulo Buxhelaj dhe Arafat Dumbia. Për të kuqtë, që synojnë të ruajnë ritmin në krye apo zonën europiane, këto mungesa mund të prishin balancat në mesfushë dhe mbrojtje. Teuta humbet Ardit Tolin, ndërsa goditjen më të fortë duket se e merr Vllaznia, e cila do të jetë pa tre emra të rëndësishëm Bekim Balaj, Erdenis Gurishta dhe Lirim Kastrati. Mungesa e Balajt, si lider dhe pikë referimi në sulm, mund të ndikojë ndjeshëm në forcën ofensive të shkodranëve.

RREZIKU I MADH PËR JAVËN E 26-TË- Nëse java e 25-të sjell mungesa të rëndësishme, java e 26-të paraqitet edhe më problematike. Lista e lojtarëve me tre kartonë të verdhë është e gjatë dhe prek pothuajse të gjitha skuadrat e elitës. Elbasani ka katër futbollistë në rrezik, Arsen Kasa, Blaise Loik Tsague, Martin Janaçek dhe Armand Memetaj. Një tjetër paralajmërim për verdheblutë, që duhet të menaxhojnë me kujdes minutat dhe ndërhyrjet. Dinamo numëron plot pesë emra Dejvi Bregu, Bernard Berisha, Ibrahim Mustapha, Andre Ferreira Teikseira dhe Renaldo Kalari. Një situatë që mund të trondisë formacionin në rast se ndëshkimet shtohen.

Partizani ka gjashtë lojtarë në prag pezullimi, Valentino Murataj, Pape Saliou Sembene, Adnard Mehmeti, Redon Ismaili, Vusal Isgandarli dhe trajneri Oltijon Kërnaja. Një numër i konsiderueshëm që mund të ndikojë drejtpërdrejt në objektivat sezonalë. Edhe Vllaznia rrezikon të humbasë disa elementë në javën e 26-të, Sherif Kallaku, Gerald Kubazi, Ensar Tafili, Leon Pohls dhe tekniku Edi Martini. Duke parë edhe mungesat e javës së 25-të, shkodranët janë ndër skuadrat më të ekspozuara ndaj krizës së kartonëve. Te Tirana, në listë janë Rimal Haxhiu, Angelo Tafas, Basilio Ndong dhe Johan Kortez. Për bardheblutë, që janë në një fazë delikate të sezonit, çdo pezullim mund të komplikojë më tej situatën. Ndërkohë, Egnatia, Vora, Flamurtari, Teuta dhe Bylis kanë gjithashtu disa lojtarë në rrezik, duke e bërë panoramën edhe më të tensionuar.

PANORAMASPORT.AL