Pikë referimi për Egnatian, shpresat janë te Bakajoko

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 28, 2025 | 15:04

Pikë referimi për Egnatian, shpresat janë te Bakajoko

Egnatia është duke i dhënë dorën e fundit përgatitjeve për sfidën ndaj Tiranës, një duel që pritet të ketë peshë të madhe në vazhdimësinë e kampionatit. Në kampin rrogozhinas ka qetësi dhe qartësi: skuadra është e plotë, ritmet në stërvitje janë rritur dhe trajneri ka në dispozicion të gjitha alternativat kryesore.EGNATIAKampionët e Shqipërisë duan që të vijojnë me ecurinë e rezultateve pozitive pas fitores bindëse me Bylisin, që ishte edhe me më shumë gola në historinë e tyre në Superiore. Një fitore ndaj bardhebluve në transefrttë do të bënte të mundur që rrogozhinasit të qëndronin sërish afër kreut. Në Rrogozhinë e dinë shumë mirë se Tirana është test i karakterit. Një fitore jo vetëm do t’i jepte skuadrës tri pikë të rëndësishme, por do të sillte edhe qetësi, ritëm dhe konfirmimin se Egnatia mbetet një pretendent serioz për titull. Stafi teknik po punon me detaje të veçanta në aspektin taktik, duke synuar një Egnatia më të ekuilibruar mes linjave, më agresive në fazën e presionit dhe më e saktë në finalizim, ngërç që e korrigjuan pikërisht në ndeshjen e fundit.

SHPRESAT TEK BAKAJOKO – E gjithë vëmendja te Egnatia po shkon te Soumaila Bakajoko. Gjetja e një sulmuesi që garanton gola është ndoshta sfida më e madhe për çdo ekip që synon trofe dhe rrogozhinasit e ndjenë këtë mungesë në pjesën e parë të sezonit. Por ndeshja me Bylisin duket se ndryshoi gjithçka. Bakajoko shënoi dy gola, ndërsa i treti iu mohua pas autogolit të mbrojtësit kundërshtar. Dhe e gjitha kjo në ndeshjen e tij të parë si titullar këtë sezon, një sinjal i fortë se sulmuesi është gati të marrë peshën e repartit ofensiv. Fillimisht pati raportime se ai kishte probleme me klubin, më pas u bë e ditur se vuante nga një dëmtim që e penalizoi në fazën e parë.

Por e rëndësishme sot është se ai është i shëndetshëm, në formë dhe ka gjetur rrugën e rrjetës. Deri më tani, Bakajoko është aktivizuar në shtatë ndeshje, gjashtë si zëvendësues. 75 minutat ndaj Bylisit, ku ishte e vetmja si titullar, mjaftuan për të bindur stafin teknik se ai mund të jetë pikë referimi në majën e sulmit. Tani, ndaj Tiranës, pritet që ai të jetë sërish titullar dhe të marrë frenat e sulmit, duke lënë pas çdo dilemë në këtë pozicion. Finalizimi ka qenë një problem për kampionët, por me rikthimin e Bakajokos në formë, pritshmëritë janë të larta. Stafi teknik beson se sulmuesi mund të bëhet pika kyçe jo vetëm për sfidën ndaj Tiranës, por për gjithë pjesën e mbetur të sezonit.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL