PIKANTET/ Ironi, sherre dhe kacafytje, në Elbasan është luftë e vërtetë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 9, 2025 | 11:34

PIKANTET/ Ironi, sherre dhe kacafytje, në Elbasan është luftë e vërtetë

Një sfidë e ndezur brenda dhe jashtë fushe: Elbasani– Vllaznia prodhoi jo vetëm emocione sportive, por edhe tension, përplasje dhe nerva të acaruara.bandicam 2025-12-08 19-28-10-151Nga tribunat te pankinat, nga kartoni i kuq te incidentet në fund, ndeshja u kthye në një betejë të vërtetë, ku futbolli u ndërthur me sherre, provokime dhe një atmosferë të ndezur deri në minutën e fundit. Në Elbasan nuk mungoi asgjë, as goli, as debatet, as adrenalina, me “Panorama Sport” që ju servir pikantet e këtij 90-të minutëshi.

– Në stadium ishin afërsisht 4 mijë të pranishëm, ku nuk munguan as ata shkodranë. Pritshmëritë ishin për më shumë, por duket se moti i ftohtë i ka stepur ta ndjekin sfidën nga afër.

– Tifozët e Elbasanit kishin gati edhe një baner me thumbim për trajnerin e Vllaznisë: “Edi Martini, këtu merr respektin, por jo pikët”, shkruhej në banderolë. Në fund të ndeshjes, ajo ishte vendosur edhe në autobusin e skuadrës shkodrane.

– Në një moment gjatë minutave të para, tifozët e Elbasanit në tribunë irritohen me Martinin, duke menduar se ai po bënte veprime provokuese ndaj tyre dhe lëshojnë një lumë të sharash.

– Edi Martini vë duart në kokë tek e verdha e dytë e Gjinit që del me të kuqe, duke kërkuar shpjegime edhe tek zyrtarët e federatës.

– Tifozët e Elbasanit nuk kursejnë në sharje kapitenin e Vllaznisë, Bekim Balajn, pasi ai kërkonte shpesh llogari tek gjyqtari. E njëjta gjë ndodh edhe me Krymin, Gurishtën dhe Bajramin gjatë pjesës së dytë.

– Në minutën e 40-të Kouro përplaset me asistentin Rrapaj në tentativë për të kapur topin, të cilit i kërkon llogari në fund, edhe pse anësori ishte jashtë fushe në zonën e tij.

– Pohls shtyn Tsaguenë kur po festonte për golin, me këtë të fundit që rrëzohet në tokë. Gjithsesi, gjyqtari e mbyll me një këshillim.

– Presidenti i Elbasanit, Kujtim Llupa, mesa duket nuk i kishte bërë mirë llogaritë me të ftohtin. Ai kërkon hua një xhup të klubit dhe e mban veshur gjatë gjithë ndeshjes, që mesa duket i solli edhe fat.

– Në fund të ndeshjes, lojtarët dhe stafi i Vllaznisë rrethojnë arbitrin duke i kërkuar llogari. Ai largohet mes forcash të shumta stjuartësh për në dhomat e zhveshjes. Madje, edhe kur po dilnin nga stadiumi patën konfrontime verbale, pasi autobusi i Vllaznisë nuk ishte larguar ende.

– Nuk munguan as incidentet e lojtarëve të Vllaznisë me tifozërinë vendase, teksa në fund shihen disa lojtarë shkodranë që rreplikojnë nga distanca. U desh ndërhyrja e forcave të sigurisë për të shmangur hyrjen e tifozëve në fushë, ndërkohë që lojtarët vazhdonin me provokimet.

– Policia ka ndërhyrë duke ndaluar disa tifozë shkodranë dhe kjo ka tensionuar edhe më shumë situatën me mbështetësit e tjerë të kuqebluve që u janë kundërvënë forcave të rendit në ambientet para stadiumit.

– Situata nuk ka qenë më e qetë as në dhomat e zhveshjeve, ku dy skuadrat nuk kanë kursyer fjalët ndaj njëra-tjetrës dhe situata është tensionuar deri në atë pikë sa u desh ndërhyrja e policisë edhe aty për të qetësuar gjakrat dhe për të mbyllur një ndeshje e cila kaloi përtej sferës sportive.

V. MEMA-PANORAMASPORT.AL