Pikantet e Tirana-Partizani/ “Boks” në tribunën kryesore, ja çfarë nuk u pa në derbin e kryeqytetit (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 8, 2025 | 23:25

Pikantet e Tirana-Partizani/ “Boks” në tribunën kryesore, ja çfarë nuk u pa në derbin e kryeqytetit (E PLOTË)

Dje u luajt ndeshja më e madhe e fut bollit shqiptar. Vëmendja ka rënë, por tifozët nuk e tradhtuan tërësisht.WhatsApp Image 2025-04-08 at 10.55.51Dje, në “Arenën Kombëtare” ishin të pranishëm 9391 tifozë, shifër trefish më e madhe se ajo e derbit të kaluar të luajtur në “Arenën e Demave”. “Panorama Sport” ju sjell disa nga momentet pikante, që ishin të shumta në fushë, por edhe jashtë saj, ku sërish nuk mungoi tensioni.

* Keqardhje, por rrugët e qytetit sikur “nuk e dinë” që luhet derbi. Asnjë bori makinash nga ato të zakonshmet, asnjë shall skuadrash në duar. Policia ndihet më e qetë se kurrë në misionin e saj.

* E habitshme, ama e vërtetë. Në sektorin e dedikuar për gazetarët, këta të fundit e kanë gati të pamundur të gjejnë vend. Ata që i kanë zënë ulëset, 90% vetëm me median nuk kanë lidhje.

* Trajneri i Partizanit, Skënder Gega, sheh diçka për të korrigjuar që në minutat e para tek Osmanllari. Gjen një hapësirë pushimi dhe e thërret për t’i dhënë udhëzime të reja.

* Tekniku i Partizanit ndërron mendje direkt pas pësimit të golit. Mintongo ishte ai që shkaktoi faullin, nga i cili erdhi goli. Gega nuk e fal dhe e zëvendëson menjëherë me Koten. Qëllimi është edhe dominimi i mesfushës, ku Tirana kishte epërsi dhe po fitonte shumë duele dhe faulle.

* Pesë lojtarë ka nxjerrë në nxehje Tirana që në minutën e 30-ë. Ndërkohë, nga ana tjetër Gega po bën gati vetëm Eleke.

* Vendimet e kryesorit Juxhin Xhaja herë pas here ngjallin reagimin e ashpër jo vetëm të Shkëmbit, por edhe të drejtorit të Tiranës, Grent Halili. I tillë ishte një moment i minutës së 37-të në një ndërhyrje që ndodh pranë tyre.

* Mici shkakton një ndërhyrje më intensitet dhe Xhaja e ndëshkon me të verdhë. Para se t’ia nxjerrë, i lutet kryesorit ta falë. Ai nuk e bën dhe mbrojtësi shfryn duke kafshuar fanellën.

* Në të 44-ën, Osmanllari ndërhyn ashpër ndaj Verës dhe e lë të dëmtuar. Stafi i Tiranës është aty ngjitur dhe shpërthen në protesta. Përfundon me një karton të verdhë për Shkëmbin.

* Kristal Abazaj, ish-lojtar dhe tifoz i Tiranës, nuk mund të mungonte në këtë derbi për ta ndjekur nga afër.

* Gegës i shkon një top nga fusha dhe përpiqet ta ndalojë me klas, por këtë herë nuk funksionon ashtu siç e planifikoi.

* Buxhelaj në pjesën e dytë duket më ofensiv se zakonisht. Domgjoni nuk është fort dakord me këtë qasje të mbrojtësit dhe i bën me shenjë të tërhiqet më mbrapa dhe ta ndihmojë në manovrën mbrojtëse.

* Ernest fiton penallti në të 68-ën pas një ndërhyrjeje të Hoxhës, teksa mbetet i dëmtuar në shpatull. Adrenalina bën ta harrojë dhimbjen dhe këmbëngul ta godasë vetë penalltinë, edhe pse me shpatull të dëmtuar. E “qan” ekzekutimin e penalltisë dhe te festa nuk i lejon shokët t’i hidhen në krahë, sepse është i dëmtuar. Kërkon menjëherë ndërrim.

* Derbi delikat, por kjo nuk e pengon Tiranën të aktivizojë edhe një herë 17- vjeçarin Serxho Vogli. Këtë sezon kishte luajtur vetëm 12 minuta. U fut në vend të Ernest, i dëmtuar.

* Tirana shënon me penallti golin e tretë, ndërsa tifozët shpërthejnë në festë. Në ato momente dëgjohet edhe një kapsollë shumë e fortë në sektorin e tifozëve ultras bardheblu.

* “Refik Halili, ik nga Tirona”, është thirrja që dëgjohet nga tribuna e ultrasve bardheblu, pavarësisht se skuadra e tyre po fiton me tre gola ndaj ekipit më të urryer dhe rivalit më të madh.

* Tabela e Tiranës pëson një defekt gjatë ndërrimit të fundit dhe ndërrimet bëhen “qorrazi”. Kjo pengon jo pak edhe “spikerin” e stadiumit.

* Keko shënon nga distanca, Tirana e nis topin, por Xhaja e ndalon, sepse VAR-i dallon diçka të parregullt. Në fund goli anulohet për pozicion jashtë loje.

* Tension në tribunën kryesore, kapen edhe fizikisht disa persona. Policia i nxjerr jashtë, por të frikësuara dhjetëra vajza largohen nga stadiumi përpara se të mbyllej ndeshja. Për gati një minutë shikimi i tifozëve nuk ishte në fushë, por në atë pjesë të tribunës kryesore që u shndërrua në “arenë boksi”.

* Goldi, vajza e presidentit Halili, nuk ngurron të tregohet bujare edhe për operatorët. Një prej tyre ka etje dhe ajo i ofron një shishe ujë nga ato të skuadrës.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL