Pikantet e Tirana-Dinamo/ Irritohen ultrasit bardheblu, lojtarët shmangin kontaktin pas humbjes në derbi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 3, 2025 | 19:44

Pikantet e Tirana-Dinamo/ Irritohen ultrasit bardheblu, lojtarët shmangin kontaktin pas humbjes në derbi

Derbi i luajtur dje në stadiumin e Elbasanit pati disa momente të veçanta, që “Panorama Sport” i sjell për lexuesit e saj:

tirana-dinamo

-Siç pritej, një derbi jashtë kryeqytetit do të sillte pak tifozë në stadium. Në Elbasan nuk ishin më shumë se 300 të pranishëm.

-Kur Jorgji po shihte rastin e penalltisë në VAR, aty afër ishte edhe kapiteni i Dinamos, Rustem Hoxha, i cili po i fliste arbitrit, me shpresën se nuk do ta jepte 11-metërshin.

-Pas golit të pësuar, trajneri Daja thërret Bregun për t’i dhënë udhëzime, ndoshta edhe për të ndryshuar skemën.

-Në minutën e 15-të ndalet loja, sepse shihet një e çarë në rrjetën e portës së Tiranës. Problemi u vu re pas autogolit të Metës, i cili përfundoi në rrjetë dhe e tërhoqi deri sa u shkëput nga shtylla.

-Në minutën e 39-të ndalet loja për gati 1 minutë, pasi është çelur iftari për të gjithë ata që agjërojnë. Lojtarët e të dyja ekipeve përfitojnë për të konsumuar diçka të shpejtë.

-Dajën e “tërbon” Meksi, me sa duket për topat e humbur. Në një moment tekniku ia vë në dukje, duke bërtitur: “O Meksi, dy topa rresht, çfarë bën?”

-Pa fat për dy lojtarë kjo ndeshje. Ermal Meta la fushën me barelë, ndërsa Gudiabi u largua me ndihmën e stafit dinamovit.

-Goli i 4-t i Dinamos irriton tifozët e Tiranës dhe pranë sektorit të tyre hyjnë forcat e policisë për të shmangur ndonjë incident.

-Në fund, lojtarët e Tiranës nuk shkuan tek ultrasit e tyre, pasi zhgënjimi është i madh, ndaj evitohet kontakti mes palëve.

PANORAMASPORT.AL