Pikantet e Elbasani-Partizani/ “Ishe lojtari më i mirë ndeshjes”, drejtuesit e kuq ironizojnë gjyqtarin Koçi. Vendasit me “fanellë fati”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 3, 2025 | 22:50

Pikantet e Elbasani-Partizani/ “Ishe lojtari më i mirë ndeshjes”, drejtuesit e kuq ironizojnë gjyqtarin Koçi. Vendasit me “fanellë fati”

Nga ironia e drejtuesve të kuq me arbitrin dhe te besëtytnia e skuadrës së Elbasanit apo duelet dhe zënkat e lojtarëve në fushë, “Panorama Sport” ju servir disa nga momentet pikante të kësaj sfide.

bandicam 2025-03-01 18-32-31-955

* Para ndeshjes, ekipet preferojnë t’i bëjnë fotot respektive me tifozët e tyre në sfond, duke gjetur këndin e duhur në fushën e lojës.

* Elbasani luajti me një fanellë krejtësisht të re në këtë ndeshje, jo me ngjyrat tradicionale verdhë e blu apo portokalli. Ishte një uniformë me nuanca të zeza, e cila në fund i solli edhe fat, sepse mori fitoren që i mungonte prej javësh. Me siguri do ta përdorin sërish në këto ndeshje të mbetura.

* Në minutën e dhjetë, gjyqtari i katërt, Laver Alla, i kërkon Gvozdenoviçin që të ndërrojë xhupin, sepse ishte i njëjtë me uniformën e ekipit në fushë. Tekniku merr hua një xhup ngjyrë blu nga stafi dhe mban atë veshur.

* Në minutën e 16-të Zhoel bie keq në tokë pas përplasjes me Prekën. Duke qenë se po qëndronte shtrirë, shkon Sembene, që i jep ndihmën e parë dhe e shtrin në një pozicion që të merrte frymë më lirisht.

* Rreth minutës së 38-të arbitri ndali lojën për shkak të çeljes së iftarit. Siç dihet, të shtunën nisi Muaji i Shenjtë i Ramazanit dhe besimtarët myslimanë mbajnë agjërim. Përjashtim nuk bëjnë as futbollistët, ndaj edhe u ndal loja për pak çaste, sa të konsumonin diçka. Kjo praktikë do të përsëritet deri në mbyllje të agjërimit në fund të muajit.

* Lojtarët e Partizanit kërkojnë nga kryesori Koçi të shohë në VAR kartonin e kuq për Mehmetin, pas të dytit të verdhë. I thonë lojtarit të tyre të mos futet në dhomat e zhveshjes, por të presë. Mirëpo, gjyqtari ia bën me shenjë që duhet të shkojë tek dhomat, sepse nuk ka ndërmend ta shohë në VAR. Vetë rregullorja nuk e lejon ndërhyrjen e VAR-it në rastin kur akordohet karton i verdhë.

* Zhoel rrëzohet pas duelit me Sembene te rasti i penalltisë së dytë dhe përfundon jashtë fushe. Duke parë se gjyqtari nuk po ndalte lojën, për të përfituar sekonda futet në fushë dhe rrëzohet aty. Në këtë moment ndërhyn Sembene me Qirkon që duan ta nxjerrin jashtë, duke sjellë edhe tension mes palëve.

* Në fund të ndeshjes, drejtues të Partizanit kanë qenë mjaft të irrituar me gjykimin, duke ironizuar madje edhe për trofeun e lojtarit të ndeshjes. Madje, në momentin që Andi Koçi po dilte nga dhoma e arbitrave, i bëjnë me dije të afrohet të marrë këtë trofe, pasi e ka merituar plotësisht.

* Në dy momentet e penalltive të akorduara nga gjyqtari Koçi nën asistencën e sistemit VAR, drejtori i Partizanit, Arbër Abilaliaj, është inkuadruar nga kamera duke bërë një nënqeshje ironike.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL