Pikantet e Egnatia-Partizani/ Tribuna mbushet me miliona, Kërnaja ironizon gjyqtarin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 21, 2025 | 10:20

Pikantet e Egnatia-Partizani/ Tribuna mbushet me miliona, Kërnaja ironizon gjyqtarin

Egnatia e mposhti Partizanin me rezultatin 2-1, ndërsa ndeshja i pati thuajse të gjitha duke qenë e denjë për t’u konsideruar supersfida e javës së 17-të. Sfidën në stadiumin “Arena Egnatia” të Rrogozhinës e ndoqën rreth 1500 tifozë dhe “Panorama Sport” ndodhej aty për të raportuar.

egnatia-partizani

-Andi Hadroj dhe Tedi Cara janë të pranishëm në stadium për këtë takim. Dy lojtarët që Partizani shiti në Ukrainë, ndodhen kështu në mbështetje të “demave”. Të shoqëruar janë me Marçelino Prekën dhe Xhuliano Skukën. Ky i fundit u la jashtë skuadrës për këtë javë, ndërsa Preka po shkon drejt rikuperimit. Lojtarë si Skuka, Hadroj dhe Cara sjellin kujtime të milionave që Partizani ka përfituar më parë nga shitjet.

-Presidenti i Egnatias, Agim Demrozi, shfaqet i fundit në tribunë dhe takon përfaqësuesit e Partizanit me në krye presidentin Gazment Demi. Demrozi po ashtu përshëndet edhe tifozë të tjerë të pranishëm.

-Stadiumi është padyshim një ambient familjar në Rrogozhinë, siç ndodh në pak vende të Shqipërisë. Kështu te tribuna “VIP” dallohen disa gra të moshuara bashkë, pikërisht një kombinim që rrallë shikohet. Jo vetëm aq, pasi nuk mungon një beb disa muajsh me karrocë. Herë pas here sfidonte edhe të ftohtin duke e nxjerrë nga karroca. Mesa duket, prindërit duan t’ia injektojnë që tani dashurinë për futbollin.

-Egnatia krenohet me arritjet e vitit 2025. Xhemajli, Aleksi, Fangaj dhe Dajsinani, që u përfshinë në “Formacionin e Vitit”, pozojnë me çmimet e tyre. Trajneri Tetova nuk i bashkohet këtij moment.

-Tensioni mes lojtarëve të dy skuadrave nuk mund të fshihet, edhe pse shpesh herë ata mundohen të tregohen korrekt. Xhemajli i drejtohet gjyqtarit të katërt për Ismailin: “Foli atij”. Ismaili sapo kishte larguar një top në lojë të ndaluar, dhe që i përkiste Egnatias.

-Deri në mbërritjen e grupimit “Guerrils”, stadiumi është i qetë. Më pas koret e tifozëve të kuq ndezin atmosferën në “Arena Egnatia”.

-Edlir Tetova shfaqet për herë të parë sërish para tifozëve të tij, ndërsa e kishte bërë edhe në Tiranë ndaj Dinamos. Ndërhyrja në zemër duket se ka ndikimin e saj. Pas 15 minutave të para, Tetova qëndron ulur. “Komandën” e merr zëvendëstrajneri Julian Brahja.

-Mehmeti ka nevojë dy herë për ndihmë mjekësore gjatë pjesës së parë. Në momentin e dytë shfaqet në nxemje Gjergji Kote. Pas pushimit ndërkohë, Mehmeti mbetet në dhomën e zhveshjes. Vendin e tij e merr Tedi Malaj dhe jo Kote.

-Poçi kërkon më shumë se një herë falje për një top të gjatë që hedh në sulm. Tetova nuk kursehet me kritikat e tij ndaj qendërmbrojtësit. Trajneri i Egnatia duket se nuk i toleron momente të tilla.

-Albion Marku largohet i dëmtuar te Partizani gjatë pjesës së dytë. Tifozët vendës e duartrokasin duke i ofruar mbështetje. Shembull nga mbështetësit e Egnatias, që vetëm në minutat e fundit të takimit u tensionuan.

-Stoli i Egnatias kërkon llogari te gjyqtari i katërt, Olti Çela. Tetova me pjesën tjetër të stafit nuk janë dakord me vendimin për të larguar Xhemajlin me karton të kuq.

-Te Partizani mundohen ta rinisin me nxitim lojën, pas golit të dytë të Egnatias. Kampionët shkojnë të gjithë festojnë. Te Partizani pretendohet se lojtarët e Egnatias e kaluan të gjithë vijën kufizuese. Gjyqtari Myrtja nuk është i këtij mendimi.

-Kazim Ogunleje u aktivizua në minutën e 87-të. Vetëm pak kohë i mjaftoi pasi mori vendin e Janjevës, që të shënonte golin e tij të parë me Partizanin. Ogunleje është 19 vjeç dhe pjesë e Partizanit B. Kështu për ekipin e Kërnajës regjistrohet një tjetër impakt nga ekipi i dytë. Fantazisti nga Nigeria e pati ndeshjen e parë për këtë sezon me fanellën e Partizanit. Ogunleje kishte luajtur edhe në “Final Four” ndaj Dinamos gjatë edicionit të kaluar.

-Kërnaja e ka me gjyqtarin Indrit Myrtja pas vërshëllimës përfundimtare. Trajneri i Partizanit afrohet për t’i dhënë dorën, dhe me ironi e duartroket duke i kujtuar vendimet që sipas tij ndikuan në fatin e ndeshjes.

-Pas fitores, të gjithë që kalojnë pranë tij, përgëzojnë Demrozin. Presidenti i Egnatias është arkitekti i viteve të suksesshme që Rrogozhina po përjeton. Askush nuk ka bërë si Egnatia gjatë kësaj kohe, ndërsa peng mbetet vetëm Europa.

V. MEMA / E. LOCI-PANORAMASPORT.AL