Pikantet e Bylis-Egnatia/ 500 tifozë në stadium, Aleksi i shënjestruari
Në një duel që premtonte emocione dhe spektakël, Bylis dhe Egnatia u përballën dje në “Adush Muçaj” në Ballsh për një sfidë “gjithçka për gjithçka”.

Me gola, raste të pastra, penallti dhe ndërhyrje nga VAR-i, të dy ekipet shfaqën karakter dhe luftuan deri në fund për pikët e plota, por sfida përfundoi 2-2, duke lënë të dyja palët pa fitues. Gjatë ndeshjes nuk munguan surprizat, reagimet e tifozëve dhe momentet që dhanë emocion në tribuna dhe në fushë. Pak minuta para fillimit të ndeshjes, punonjësit e stadiumit u angazhuan për përmirësimin e gjendjes së fushës, duke e bërë atë sipas standardeve. Gjatë lojës, fusha ishte në gjendje të shkëlqyer.
-Sfida u ndoq nga Besnik Kapllanaj dhe Agim Demrozi në tribunën “VIP”, ku nuk munguan edhe zyrtarë nga të dy klubet.
-Një numër jo i madh tifozësh ishte prezent për shkak të shirave dhe motit të ftohtë, ndërsa disa tifozë të tjerë miq e ndoqën sfidën nga tribuna kryesore e “Adush Muçajt”.
-Gjatë ndeshjes pati ngacmime të tifozëve vendas ndaj Aleksit, sidomos kur lojtari mik protestonte ose kërkonte sqarim nga gjyqtari.
-Kur u ekzekutua penalltia dhe topi u vendos në pikën e bardhë, doli dielli dhe një zë nga tribuna ballore shpërtheu: “Erdhi bereqeti i Bylisit”, ndërsa Mustafa shënoi.
-Rreth 500 tifozë ndoqën ndeshjen, e cila u zhvillua në një frymë “fair-play”.
-Nga tribuna e “Adush Muçajt” ndoqën sfidën edhe lojtarët Bruno, Kamara dhe Ofori. Dy të parët munguan për shkak dëmtimi, ndërsa Ofori ishte i pezulluar pas mbledhjes së 4 kartonëve të verdhë në Vlorë.
-Afrimi i fundit i merkatos te ballshiotët, ganezi Faisal, dje qëndroi në stol.
-Pas ndeshjes, të gjithë lojtarët që nuk luajtën, si dhe ata që u aktivizuan gjatë pjesës së dytë, zhvilluan seancën stërvitore.
-Gjatë ndeshjes pati disa herë protesta nga tribuna, kryesisht për 3–4 episode.
PANORAMASPORT.AL













