Pikantet Dinamo-Bylis/ 50 tifozë, në stadium edhe … Silvinjo
Nga tifozët e paktë, te Silvinjo që “fiksohet” me Dinamon dhe braktis ndeshjen pas golit të tretë. Këto dhe jo vetëm janë disa nga pikantet që serviren nga “Panorama Sport”.

– Ashtu siç pritej, numri i të pranishmëve në stadium nuk shkonte më shumë se 50 tifozë. Në sektorin mik ishin vetëm tre tifozë.
– Në tribunë nuk mungoi as tekniku i Kombëtares, Silvinjo, së bashku me Zabaletën, të cilët ndoqën nga afër përballjen. Ndeshja e dytë radhazi që ndjek dinamovitët, ku dihet që ka thirrur në Kombëtare mbrojtësin, Naser Aliji. Pas golit të tretë të Dinamos largohet nga stadiumi.
– Ilir Daja “refuzon” një bidon me ujë që kishte ambalazh rozë. Sapo e sheh e kthen mbrapsht, duke kërkuar një bidon tjetër, në një kohë që nuk mungojnë edhe batutat me stolin.
– Dinamo detyrohet të luajë afro 5 minuta me 10 lojtarë, pasi topi nuk po dilte jashtë që të ndalej loja dhe të futej në fushë Jonuzi në vend të Mandelës.
– Duke qenë se gjyqtari akordoi vetëm një karton të verdhë, shpeshherë tifozët i kujtonin kartonin: “Ke kartonë me vete apo i ke harruar në shtëpi”.
PANORAMASPORT.AL













