Pesë rikthime te “Demat”, riformatohet formacioni i Partizanit
Partizani ka kryer dje seancën e radhës stërvitore në kuadër të ndeshjes kundër Bylisit për javën e 26-të të Superiores, të premten në orën 17:30 në stadiumin “Arena e Demave”.

Foto/ F. Hazisllari
Për këtë ndeshje, trajneri Veselinoviç do të ketë në dispozicion edhe tre lojtarë, që kthehen nga pezullimi. Klubi ka vendosur ta shlyejë me gjobë ndeshjen e mbetur për Bytyçin, teksa Janjeva dhe Taipi e kanë konsumuar dënimin. Gjithashtu, Preka dhe Shanaj kanë kaluar gjendjen virale dhe janë kthyer normalisht në stërvitje.
Të kuqtë do të kenë vetëm dy mungesa për këtë ndeshje. Gudjufi është dënuar nga Komisioni i Disiplinës dhe këtë ndeshje do ta ndjekë nga tribuna, ashtu si Eleke, i cili është në fazën e fundit të rikuperimit nga tërheqja muskulore dhe vijon të mos stërvitet me skuadrën. Sakaq, mësohet se në dyshim për këtë sfidë është Buxhelaj, i cili ka vuajtur virozat dhe duhet të kryejë një ekzaminim në mushkëri.

Të gjithë të tjerët janë të gatshëm, me trajnerin Veselinoviç, që pritet të bëjë disa ndryshime në lidhje me formacionin. Në mbrojtje janë plot tri ndryshime. Nga krahët pritet të ulen sërish në stol Osmanllari dhe Buxhelaj, për t’i hapur vendin Janjevës nga e djathta dhe Atanaskoskit nga e majta. Në qendër rikthehet Preka dhe ulet në stol Domgjoni.
Në mesfushë kthehet Taipi dhe në stol i riu Mando, teksa në sulm Veselinoviç pritet të rikthejë në 11-she Podstrelov në vend të Kekos. Duhet thënë se të kuqtë e kanë me detyrim ta fitojnë këtë sfidë, pas katër ndeshjesh që nuk kanë mundur të marrin tri pikët e plota.
PANORAMASPORT.AL













