Pesë ditë për sezonin, Dinamo në javën “derbi”. Blutë do të luajnë dy ndeshje vendimtare me kryeqytetasit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 3, 2026 | 8:46

Pesë ditë për sezonin, Dinamo në javën “derbi”. Blutë do të luajnë dy ndeshje vendimtare me kryeqytetasit

Dinamo arriti të merrte një fitore shumë të rëndësishme pak ditë më parë, duke mundur me rezultatin 1-2 skuadrën e Vorës.

dinamo

Blutë e drejtuar nga Daja, arritën të kthehen te fitorja pas më shumë se dy muajsh, duke qenë se për herë të fundit kishte fituar në dhjetor të vitit të shkuar kundër Partizanit në derbi. E pikërisht me të kuqtë, Dinamo do të ketë ndeshje shumë të rëndësishme javën e ardhshme por para se të luajë me Partizanin, fillimisht do të ketë Kupën e Shqipërisë.

KUPA- Dinamo do të presë Tiranën në “Air Albania” në kuadër të Kupës së Shqipërisë. Të besuarit e Dajës, arritën të fitonin ndeshjen e parë ndaj bardhebluve me shifrat 0-2 dhe në sfidën e nesërme, Dinamo do ta ketë gjithçka më të lehtë, duke marrë parasysh edhe faktin se Tirana nuk po kalon një moment të mirë dhe se u rikthye sërish në vendet e fundit në klasifikim. Ky takim mund t’i shërbejë Dajës për të lënë pushim edhe disa nga lojtarët që kanë marrë ngarkesë më të madhe, duke ditur se kalendari është i ngjeshur e për më tepër, në horizont është “Final 4” dhe aktualisht, Dinamo ka humbur shërbimet e Maliqit për shkak të ligamentit. Veç favorizimit që i jep rezultati i ndeshjes së parë, blutë vijnë edhe si kampionët në fuqi të këtij trofeu dhe ndaj Tiranës do të synojnë që të presin biletën për në gjysmëfinale të Kupës. Aktualisht, gara për “Final 4” është e hapur dhe nuk ka garanci që vendet e para të çojnë në Europë, kështu që Kupa e Shqipërisë, pavarësisht që nuk e ka rëndësinë e kampionatit, është një mundësi e artë për të shkuar në Kupat e Europës me vetëm 4 sfida të mbetura.

PARTIZANI- Menjëherë pas Kupës, Dinamo do të nisë përgatitjet për një tjetër derbi. Blutë do të përballen me Partizanin në “Air Albania”, aty ku do të synojnë që të blindonjë vendin e katërt. Dy skuadrat kanë pasur ecuri të ndryshme këtë sezon në kampionat, me Dinamon që e nisi sezonin si favorite kryesore për titull, e më pas lëshoi shumë terren. Nga ana tjetër, Partizani e nisi kampionatin në mënyrën më të keqe të mundshme, megjithatë rezultatet e fundit e kanë kthyer në një nga skuadrat pretendente për të hyrë në zonën e “Final 4”. Të hënën në mbrëmje, dy skuadrat do të kërkojnë 3 pikët, me Dinamon që do të shkëputej sërish nga të kuqtë, e nga ana tjetër, të kuqtë do të provonin zonën “Final 4” shumë muaj pas fillimit të kampionatit. Dëmtimet te Dinamo kanë qenë të shumta këtë sezon, teksa në kampin blu shpresojnë që të kenë grupin e plotë për fazën e katërt të kampionatit, duke qenë se do të vendoset gjithçka dhe janë plot 10 ndeshje dhe 30 pikë në lojë, pikë këto që mund të ndryshojnë komplet rrjedhën e kampionatit, pavarësisht klasifikimit aktual.

ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL