Përndreca: Kam besim se Bylisi do të marrë tri pikët e para
Bylisi tashmë po përgatitet intensivisht për sfidën e radhës kundër Egnatias, me synimin për të marrë tri pikët e para në këtë sezon. Në Ballsh, stafi teknik dhe lojtarët kanë fokus të plotë në rikuperimin e pikëve të lëna në shtëpi, sidomos pas dy ndeshjeve të para të kampionatit, ku rezultatet nuk kanë qenë në favorin e mallakastriotëve.

Skuadra e drejtuar nga Mirel Josa është forcuar ditët e fundit me elementë cilësorë në sulm, duke rritur konkurrencën brenda ekipit dhe përgatitjen për një duel të rëndësishëm me rrogozhinasit. Takimi i së shtunës, i cili do të nisë në orën 16:00, konsiderohet vendimtar për Bylisin, jo vetëm për shkak të renditjes, por edhe për faktin se ndeshja zhvillohet në sytë e tifozëve të tyre. Ndërkohë, një vit më parë, ishte Egnatia që kishte arritur të mposhte Bylisin në Ballsh, ndaj mallakastriotët duan të shlyejnë atë humbje dhe e shohin fitoren si një detyrim moral.
Grupi i Bylisit është kompletuar edhe me rikthimin e lojtarëve nga përfaqësueset e tyre. Aurel Marku dhe Fabjan Përndreca u aktivizuan me U-21 e Shqipërisë, ndërsa Aboubakar Kamara luajti titullar me Nigerinë ndaj Marokut dhe Tanzanisë, duke qenë një nga më të spikaturit në fushë. Këto rikthime rrisin cilësinë dhe thellësinë e skuadrës, duke dhënë më shumë alternativa për trajnerin Josa. Fabjan Përndreca është një nga emrat më të ndritur të ekipit këtë sezon. Titullar për vitin e dytë radhazi, ai debutoi vetëm në moshën 18-vjeçare dhe tashmë konsiderohet një nga lojtarët më premtues të Bylisit, sidomos në pozicionin e krahut të majtë. Përndreca është grumbulluar edhe nga ekipi Shpresa U-21, ku ka luajtur në të dy sfidat e kuqezinjve nën drejtimin e Bushit.
Në një prononcim për “Panorama Sport”, Fabjan Përndreca shprehu entuziazmin dhe ambicien e tij. “Nga eksperienca e bukur me kombëtaren, tashmë jam i fokusuar te sfida me Egnatian. Jam shumë entuziast, sepse përpiqem të jap maksimumin në çdo ndeshje, dhe dy sfidat e fundit me ekipin U-21 më dhanë një eksperiencë të vlefshme. Shpresoj që ta kalojmë me sukses këtë ndeshje delikate, sepse besoj se kemi një ekip shumë më të fortë këtë sezon. Kundërshtarin e respektojmë si kampion në fuqi, por aspak nuk kemi frikë. Kam besim se Bylisi do të marrë tri pikët e para me Egnatian, sidomos duke luajtur në shtëpinë tonë, ku duhet të japim maksimumin sapo të shkelim në fushë”, tha Përndreca.
Me entuziazmin dhe përgatitjen e lartë të lojtarëve, Bylisi synon të nisë sezonin me fitore në Ballsh, duke dërguar një mesazh të qartë rivalëve dhe duke rikuperuar pikët e humbura në dy sfidat e para. Për trajnerin Mirel Josa dhe ekipin, kjo ndeshje është një provë e rëndësishme për të treguar forcën dhe ambiciet e skuadrës në Superiore.
ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL













