Përgjoni: Bylisi ka cilësi, bëjmë surprizën me Partizanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 21, 2025 | 10:13

Përgjoni: Bylisi ka cilësi, bëjmë surprizën me Partizanin

Arli Përgjoni erdhi verën e shkuar nga Lezha në Ballsh dhe tashmë, kur jemi në fundin e fazës së tretë, 22-vjeçari ka kontribuar me 2112 minuta dhe 2 gola me mallakastriotët.pergjoniPërgjoni është nga lojtarët më të aktivizuar te Bylisi, por edhe në të gjithë Superioren. Në prag të sfidës me Partizanin, Arli Përgjoni thekson se ai dhe skuadra do të tentojnë surprizën në kryeqytet.

Arli, pas barazimit me Elbasanin, ju pret një transfertë e vështirë. Si e prisni sfidën me Partizanin?

Me Elbasanin i shkuam shumë afër fitores, tentuam portën disa herë, por edhe në një moment nuk na është dhënë penallti, sepse kam qenë duke hyrë në zonë me top dhe më është ndërhyrë nga pas. Madje, aq e rrezikshme është ndërhyrja, sa edhe dëmtimi më qëndroi për 2-3 ditë dhe kisha shenjë në këmbë. Shpresoj që të vlerësohemi ndryshe në ndeshjet në vijim dhe të tilla episode të mos bëhen rrugë, sepse mirë do të ishte të paktën të ndërhynte “VAR”-i. Sa i përket Partizanit, dihet kush është, e vlerësojmë, por ne duam rezultat.

Pra, besoni se do të merrni pikë kundër “Demave”?

Ne, këtë sezon, në disa transferta kemi treguar se dimë të marrim pikë dhe të fitojmë, kështu që, së pari, do të hyjmë në fushë për të bërë më të mirën tonë. Pastaj shpresojmë të kemi edhe pak fat, sepse është më se i domosdoshëm në futboll dhe të tentojmë edhe më shumë se 1 pikë. Mundësitë i kemi, tani është radha e rezultateve.

Shumë afrime, por mbeteni stabël në 11- she. Si ndiheni?

Është vlerësim i madh, por jam munduar që unë ta justifikoj duke punuar shumë dhe duke dhënë më të mirën në çdo ndeshje ku luajmë. Luaj dhe bëj detyrat aty ku më cakton trajneri.

E nisët si sulmues dhe tani luani në mesfushë, ku ndiheni më mirë?

Për mua nuk është problem, unë e godas portën. Në mesfushë ose pas sulmuesve jam përshtatur mirë, kur më jepet mundësia, nuk heq dorë edhe nga zakoni i sulmuesit, që të shënoj. Kam shënuar dy gola deri më tani ndaj Skënderbeut dhe Teutës. Dua që të shënoj edhe më shumë, sidomos në duelet më vendimtare për ecurinë tonë.

E. SALIU-PANORAMASPORT.AL