Përballja delikate ndaj Dinamos dhe formacioni i mundshëm, Shehi: Te Vora gjeta vetveten
Vora sot përballë Dinamos do të kërkojë të marrë tri pikë, ndonëse do ta ketë shumë të vështirë. Përballë ka përballë një kundërshtar që e ka mundur dy herë gjatë këtij sezoni. Dyshja e stafit teknik Bellai e Topi e kanë përgatitur në mënyrën më të mirë skuadrën, duke dhënë udhëzimet e duhura për këtë takim të rëndësishëm në luftën që kanë për mbijetesë.

Vorakët e kanë vlerësuar në maksimum këtë kundërshtar, pasi çdo gabim i mundshëm do të rezultojë fatal për ta, kur mendon një ndeshje pasardhëse, në një transfertë përballjesh rivalësh në Ballsh.
DAJAN SHEHI – Në prag të kësaj përballje për “Panorama Sport” flet një ndër liderët e skuadrës vorake. Bëhet fjalë për 28-vjeçarin nga Elbasani, Dajan Shehi, që këtë sezon është aktivizuar në 23 ndeshje të kampionatit, duke pasur një minutazh prej 2023 minutash. Ai përveçse e ka vlerësuar kundërshtarin e ndjen se do të jetë një përballje mjfta e fortë sepse të dyja skuadrat janë të etura për pikë dhe se Vora do të dalë me tre pikë nga kjo sfidë.
“Në radhë të parë unë ndjehem shumë mirë këtu tek Vora, sepse unë kam gjetur vetveten” janë fjalët e para të tij. Duke vijuar më tej lidhur me përballjen e javës së shkuar ndaj Elbasanit, ai shprehet se: “Vora gjithmonë përgatitet për të fituar ndeshjet por në ndeshjen me Elbasanin nuk e administruam mirë rezultatin. Luajtëm një pjesë të parë shumë të mirë e pastaj vumë në pikëpyetje barazimin. Ata na vunë nën presion ku ne kërkuam që patjetër edhe pjesën e dytë ta nisnim si në fillim. Nuk arritëm ta bënim e pastaj e pësuam”. Lidhur me takimin ndaj Dinamos ai shprehet i qetë.
“Mendoj se Vora është gjithmonë e përgatitur për të fituar ndeshjet. Se sa do ta arrijmë këtë e shikojmë pas ndeshjes. Këtë ndeshje e kemi përgatitur mirë. Grupi skuadrës është i plotë se kemi pasur dëmtime, viroza të stinës dhe e dimë se sa e rëndësishme është për ne kjo ndeshje. Kemi kualitete për ta mbyllur si duhet këtë sezon, pasi mbështetja nuk na mungon si nga presidenca edhe nga trajneri e tifozët. Madje i ftoj ata të jenë sa më të shumtë në stadium dhe mendoj se do dalim fitimtarë nesër(sot). Jemi të fokusuar maksimalisht, nuk shohim komponentët se është ekip traditash dhe me emër.
Çdo javë kampionati është e rëndësishme për ne për të fituar dhe nuk duhet të kthejmë kokën pas se ç`bëjnë të tjerët, por të shikojmë punën tonë, ku ne të luftojmë deri në fund për objektivin që kemi. Te Vora është një ambient i shkëlqyer si në strukturën e klubit po ashtu edhe në infrastrukturën stërvitore. Këtu kam gjetur vetveten dhe kërkoj të qëndroj sa më gjatë këtu”, përfundoi prononcimin e tij qendërmbrojtësi i djathtë i Vorës, Dajan Shehi.
ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL













