“Për mua çdo ndeshje është si finale”, sulmuesi i Partizanit vlerëson atmosferën: Llogaritë në fund, kampionati ka cilësi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 18, 2026 | 8:50

“Për mua çdo ndeshje është si finale”, sulmuesi i Partizanit vlerëson atmosferën: Llogaritë në fund, kampionati ka cilësi

Seku Sidibe është padyshim një nga gjetjet e merkatos së janarit të drejtorit sportiv të Partizanit, Agim Ibraimi. Sulmuesi anësor, ia ka dalë menjëherë të bëhet pjesë e mekanizmave të trajnerit Oltijon Kërnaja duke bërë “pronë” të tijin linjën e djathtë të ofensivës.sidibe24-vjeçari, ishte protagonist me të kuqtë edhe në derbin e kryeqytetit ndaj Tiranës, sfidë e fituar nga 17-herë Kampionët e shqipërisë me rezultatin 2-0. Sidibe, shënoi golin e parë për Partizanin dhe më pas dhuroi edhe asistin për golin e dytë të “Demave”, të shënuar nga Vusal Isgandarli duke u shpallur kështu edhe “Lojtari më i Mirë i Ndeshjes”. Në një prononcim për “Panorama Sport”, sulmuesi me pasaportë belge u shpreh mjaft i kënaqur për triumfin në një ndeshje derbi, ndërsa theksoi se objektivat e tij personalë, vijnë vetëm pasi të përmbushen më parë ato të klubit. Ndër të tjera, Sidibe vlerësoi edhe futbollin në Shqipëri duke thënë se në Kategorinë Superiore ka vënë re lojtarë me shumë cilësi.

Derbi i parë për ty me fanellën e Partizanit, sa i lumtur je për golin dhe për asistin?

Jam shumë i lumtur dhe jam shumë krenar për skuadrën. Derbi ishte vërtet shumë i këndshëm, një atmosferë e bukur dhe falenderoj Zotin që më dha mundësinë dhe fuqinë që ta luajë këtë ndeshje dhe ta ndihmoj skuadrën time me një gol dhe një asist.

Si ishte atmosfera në stadiumin “Air Albania”?

Më pëlqeu shumë, një atmosferë shumë e bukur. Edhe stadiumi i mirë, fusha ishte shumë mirë gjithashtu, pavarësisht se më pas u rëndua për shkak të reshjeve të shiut. Unë e shijova shumë dhe jemi shumë të bekuar dhe me fat që mund të përjetojmë një ndjesi të tillë si aktorë protagonistë në fushë.

Tashmë u bënë disa ndeshje këtu në Shqipëri me Partizanin, si po të duket futbolli shqiptar?

Është një kampionat shumë i mirë, ka edhe shumë lojtarë cilësorë, skuadra me kualitet po ashtu. Është një ambient dhe kampionat i këndshëm, e them me të vërtetë. Unë nga ana tjetër, ende po përshtatem.

Objektivat e klubit janë pjesëmarrje në “Final 4” dhe triumfi në Kupë, ndjeheni gati për t’i arritur?

Për mua çdo ndeshje është shumë e rëndësishme, unë e kam në mentalitet që çdo ndeshje është një finale. Ne do të marrim çdo ndeshje me radhë dhe në fund bëhen llogaritë e aty do të shohim se ku do të jemi.

A ke një objektiv personal?

Për mua kryesore është skuadra, është klubi. Objektivat e mi personalë vijnë vetëm pasi të përmbushim ato të klubit. Jam i fokusuar vetëm që të arrijmë rezultate pozitive me skuadrën, klubi është i pari, pastaj vij unë dhe objektivat e mi. Në këtë sezon me Partizanin, mes ndeshjeve të kampionatit dhe Kupës, Sidibe është aktivizuar në pesë takime për të kuqtë duke shënuar një gol dhe duke koleksionuar dy asistime. Kujtojmë se Sidibe u afrua te kryeqytetasit pas eksperiencave në Belgjikë te La Luvre, apo edhe në Rumani me skuadrën e Krajovës teksa sulmuesi është formuar te një shkollë futbolli si ajo e holandezëve të PSV.

EJGI ÇABELI-PANORAMASPORT.AL