Partizani “shkelm” krizës, fitorja bën punë në Vlorë. Kërnaja ka luksin e zgjedhjeve
Partizani do të rikthehet sot në fushë. “Demat” do të vendosen përballë Flamurtarit, pikërisht në Vlorë prej orës 17:00. Sfida e sotme gjen përballë dy skuadra, që mbyllin renditjen e Superiores.
Oltijon Kërnaja do e ketë debutim në elitën e futbollit shqiptar, ndërsa objektiv është të nxjerrë Partizanin nga kriza. Përballë tij është Françesko Moriero, i cili ndërkohë pas fitores së Kupës ndaj Naftëtarit ka rikthyer entuziazmin në skuadër. Dhe pse ndaj skuadrës së Kategorisë së Dytë, fitorja rezulton e para e këtij sezoni te kuqezinjtë. Partizanit i bëjnë punë vetëm 3 pikët në Vlorë sepse ndodhet në zonën e ftohtë.
RIKTHIMET- Partizani ka të rikthyer dy lojtarë të konsideruar mjaft të rëndësishëm për vazhdimësinë. Mbrojtësi Sembene dhe mesfushori Doumbia. Lajm i mirë për “demat” është po ashtu se Rouen Hjumen la pas kontraktimin dhe është i gatshëm për transfertën në Vlorë. Vetëm Karlos Martinez nuk është i gatshëm në kampin e kuq. Megjithatë, rolin e tij e mbulon si titullar Albion Marku.
FORMACIONI- Trajneri Kërnaja ka luksin që Milinkoviç nuk e kishte prej kohësh. T’i ketë të gjithë në dispozicion, me përjashtim të Martinez. Ky i fundit mungon nga shtatori e ka nevojë edhe për pak kohë, që të kthehet në fushë. Kërnaja preferon rreshtimet 5-3-2 dhe 5-4-1, ndryshe nga Milinkoviç që e rreshtonte ekipin 4-2-3-1. Qirko do të rikthehet në fushë, pasi mori vendin e Alban Hoxhës që në fillimin e pjesës së dytë të derbit. Prapavija pritet të ndërtohet me pesë futbollistë. Marku, Bytyçi, Preka, Sembene dhe Atanaskoski, ndërsa vetëm Janjeva mund të ishte si tjetër alternativë. Nëse formacioni është 5-4-1, atëherë përpara Skukës në majën e sulmit do të ishin Hjumen, Ismaili, Mehmeti dhe Isgandarli. Mund të ndryshonte situata, nëse formacioni kalon 5-3-2. Interesant është fakti se Kërnaja dhe Moriero kanë të njëjtën filozofi loje.
STATISTIKAT- Një ndeshje e tillë ku të dyja fanellat peshojnë shumë në futbollin shqiptar, mungon prej vitit 2020. Fitorja e fundit e Flamurtarit ishte me rezultat minimal dhe daton 7 vite më parë, pikërisht në nëntorin e vitit 2018. Ai triumf është edhe i vetmi në 10 përballjet e fundit mes dy skuadrave. Partizani ishte “mace e zezë”, pasi ndërkohë fitonte tetë sfidat e tjera.
“ISH”- Sfida mes dy skuadrave sjell disa “ish”. Te Flamurtari mund të përmenden Lorenc Trashi, Idriz Batha, Bruno Telushi, Valentino Murataj, Herald Marku dhe Stivian Janku. Nga Partizani ndërkohë kanë luajtur te Flamurtari, portieri Pano Qirko dhe mbrojtësi Mateo Çipi. Mateo Shanaj dhe Paulo Buxhelaj janë po ashtu nga Vlora, por nuk kanë luajtur asnjëherë me kuqezinjtë.
EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL













