Partizani i sezonit të ri nis me sulmin, të kuqtë arrijnë akordin me një “ish” të Egnatias
Vusal Isgandarli pritet të zyrtarizohet si përforcim i Partizanit për sezonin e ri. “Panorama Sport” mëson se vetëm firma mungon mes sulmuesit dhe klubit të kuq, pasi akordi mes palëve është arritur.
SITUATA – Partizani afron në skuadër një lojtar që e njeh Superioren. Isgandarli u afrua tek Egnatia në verën e vitit 2023, kur edhe nisi puna për titullin kampion te rrogozhinasit. Në janarin e vitit 2024 ishte Boluspor që pagoi te kampionët e Shqipërisë, për të fituar shërbimet e tij. Me turqit ndodhet nën kontratën që po shkon drejt fundit dhe ka vendosur të rikthehet në Shqipëri ku spikati. 29-vjeçari po ashtu ka luajtur në përfaqësuesen e Azerbajxhanit, me të cilën numëron pesë paraqitje. Isgandarli shënoi dy gola dhe asistoi katër të tjerë me Boluspor, ndërsa u aktivizua në 41 ndeshje për një sezon e gjysmë. Me Egnatian numëronte 20 ndeshje, ku shënonte gjashtë gola dhe asistonte dy.
SEZONI I RI – Gjithçka nis te Partizani nga sulmi. “Demat” po e tregojnë këtë me afrimet e para. Rikthimi i Xhuliano Skukës është indicie që fokusi është për të përforcuar fazën ofensive fillimisht.
LARGIMET – Ka disa largime të zyrtarizuara deri tani te Partizani, ndërsa priten edhe të tjera në vijim. David Domgjoni, Anteo Osmanllari dhe Gjelbrim Taipi kanë ndarë përfundimisht rrugët me kryeqytetasit. Këto lëvizje shtojnë nevojën për të plotësuar skuadrën.
NË DYSHIM PËR TË ARDHMEN – Eleke dhe Bintsuka janë dy sulmues, me të cilët asgjë nuk është vendosur përfundimisht. Elekes i ka përfunduar kontrata, ndërsa zyrtarizimi për përfundimin e bashkëpunimit nuk ka ardhur nga asnjëra palë. Në të njëjtën pozitë ndodhet edhe Bintsuka. Për këtë të fundit, qëndron dëshira e klubit për ta mbajtur në skuadër.
EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL













