Partizani i gjymtuar ndaj Vllaznisë, kuqeblutë kanë dilemat e tyre. Si pritet të rreshtohen ekipet në supersfidën e javës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 23, 2025 | 10:49

Partizani i gjymtuar ndaj Vllaznisë, kuqeblutë kanë dilemat e tyre. Si pritet të rreshtohen ekipet në supersfidën e javës

Partizani do të përballet nesër me Vllazninë në stadiumin “Arena e Demave”. Ky takim do të nisë në orën 16:30 dhe vlen për javën e 12-të të Superiores. Të kuqtë kanë disa mungesa të rëndësishme, për këtë duhet të sakrifikojnë ndaj kuqebluve.

Partizani Vllaznia

Oltijon Kërnaja është në dilemë për formacionin dhe kjo për shkak të kufizimeve që ka për formacionin.

DËMTIMET- Të paktën tre liderë do mungojnë ndaj kryesuesve të kampionatit. Xhuliano Skuka, Marçelino Preka dhe Saliu Sembene nuk janë në dispozicion prej datës 4 nëntor. Mungesë e gjatë tashmë, për lojtarët që shfaqën probleme në ndeshjen e fundit tek “Arena e Demave” me Vorën.

PEZULLIMET- Te Partizani do mungojnë dy futbollistë, që sollën fitoren ndaj Teutës. Bëhet fjalë për Diego Kontreras dhe David Atanaskoskin. Kontreras mori karton të kuq, ndërsa Atanaskoski ka plotësuar numrin e katër kartonëve të verdhë.

RIKTHIMI DHE FORMACIONI- Partizani ka vetëm një rikthim dhe bëhet fjalë për Albion Markun, që nëse aktivizohet do të mbajë shiritin e kapitenit ndaj Vllaznisë. Fakt është se nuk qëndron 100% i gatshëm, njësoj si Bintsuka, dhe nuk do të jetë çudi nëse mungon në formacion. Pjesa më e madhe do të mbetet e pandryshuar nga ndeshja e fundit. Megjithatë, dilemat nuk largohen as për rreshtimin. Nëse Milinkoviç ishte fanatik i skemës 4-2-3-1, Kërnaja përshtatet sipas ndeshjeve dhe me Vllazninë do jetë hera e parë për të.

Screenshot 2025-11-23 104639

Bismark pa ritëm, Kallaku me dyshim për 90 minuta

Një ndeshje e vështirë e pret Vllazninë në kuadër të javës së 12-të të Superiores, ku shkodranët do udhëtojnë drejt Tiranës për t’u ndeshur me Partizanin. Duel që luhet ditën e diel në orën 16:30, në stadiumin “Arena e Demave” të kryeqytetit dhe pavarësisht pozicionit ku ndodhen aktualisht të kuqtë, ata nuk nënvlerësohen aspak në kampin shkodran. Me trajnerin Martini që i ka dhënë vëmendje absolute këtij takimi, ashtu siç e kërkon dhe e paraqet edhe historiku i përballjes mes dy skuadrave. Por, në prag të këtij takimi për formacionin kuqeblu ka disa dilema përsa i përket titullarëve që do hidhen në fushë. Kështu në portë pritet të mos ketë ndonjë ndryshim, me Pohls që do paraqitet mes katër këndeve pavarësisht rikthimit të plotë tashmë të Jukajt.

Në mbrojtje një mungesë e sigurt është Gurishta, për shkak të pezullimit nga ndëshkimi me kartonë. Një balotazh duket se ka momentalisht për zëvendësuesin e tij, mes Kuros dhe Pusit, ku i pari duket disi më i favorizuar. Teksa repartin pritet ta kompletojnë edhe Gjini e Bajrami. Edhe në mesfushë ka dilema, kjo për shkak të formë jo në 100% të dyshes Murataj-Kallaku, me këtë të fundit që pritet ta nisë nga stoli duke pasur parasysh një dëmtim që ka kaluar së fundmi. Kështu Krymi duket i sigurt në këtë repart, ku duket se do ketë edhe mbështetjen e Muratajt dhe Qatos, teksa një opsion për ta nisur nga minuta e parë është edhe Sala. Nga krahët e këtij reparti nuk pritet të ketë ndryshime, me Kastratin që do veprojë djathtas dhe Jagon në të majtë. Në sulm po ashtu i padiskutueshëm është Balaj, që sërish do ketë mbështetjen e Malës në repartin e avancuar. Dhe pavarësisht rikthimit të Bismark, ganezi ende nuk ka ritmin e duhur në këmbët e tij dhe me siguri nuk do e nisë ndeshjen ndaj të kuqve nga minuta e parë. Kështu dilemat e Martinit pritet të zgjidhen gjatë kësaj fundjave, ku gjithçka do përcaktohet përfundimisht nga ana e teknikut shkodran.

Screenshot 2025-11-23 104729

PANORAMASPORT.AL