Optimizëm te Bylisi, Abazaj: Jemi “top” para Partizanit, na u anulua gol i rregullt dhe dy penallti

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 20, 2025 | 17:39

Optimizëm te Bylisi, Abazaj: Jemi “top” para Partizanit, na u anulua gol i rregullt dhe dy penallti

Sfida me Partizanin ka marrë angazhim maksimal nga të gjithë aktorët dhe faktorët në skuadrën e Bylisit. Pika me Elbasanin duket se nuk i ka kënaqur drejtuesit dhe stafin, që prisnin më tepër nga skuadra e tyre në këtë duel. Marin Abazaj, i cili është një nga lojtarët më shumë të aktivizuar dhe ka spikatur si kapiten te Bylisi, në një prononcim për “Panorama Sport”, ka analizuar gjendjen e ekipit, ecurinë e javëve të fundit, por edhe synimin ndaj të kuqve.

marin abazaj

“Morëm një pikë me Elbasanin, në një duel, ku ne u futëm në fushë dhe bëmë çmos për ta fituar takimin. Falënderoj tifozët tanë që na mbështetën maksimalisht. Janë kthyer në një aleat tonin shumë besnik, por unë besoj se skuadra do të vijojë ecurinë pozitive. U kemi dhënë fjalën drejtuesve dhe stafit se do të bëjmë edhe më mirë në ndeshjet në vijim, ndonëse përballë këtë javë kemi Partizanin.

Do të tentojmë më të mirën. Ekipi është ‘top’, jemi përforcuar dhe është rritur cilësia dhe konkurrenca. Kam bindjen se do të bëjmë edhe surpriza. Bylisi është një ekip që meriton vendet e sipërme, por na ka munguar fati dhe, përpos kësaj, në javët e fundit në Shkodër na u anulua gol i rregullt dhe penallti e dyfishtë ndaj Elbasanit. Shpresoj që të mos përsëriten më në ndeshjet në vijim, sepse gara tashmë është në kulmin e vet”, ka deklaruar Marin Abazaj.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL