“Operacioni fshesa”, nga janari 15 të larguar nga Tirana. Bardheblutë ndryshojnë tërësisht fytyrën në 2026-ën
Tirana ka kaluar një periudhë me ndryshime të thella në organikë gjatë muajve të fundit. Nga janari deri më 29 mars, plot 15 lojtarë janë larguar nga skuadra bardheblu, një shifër e pazakontë që pasqyron qartë një situatë të vështirë.

Lista e largimeve përfshin emra në çdo repart të fushës, duke prekur ndjeshëm balancat e skuadrës. Në mbrojtje janë larguar lojtarë si Mahamadu Dembele, Georgios Valerianos, Qëndrim Ismajli, Ziad Ouled-Haj-M’hand dhe Kleandro Lleshi, duke dobësuar ndjeshëm prapavijën dhe duke lënë boshllëqe të konsiderueshme në fazën defensive. Në krahë, largimet e Tsotne Patsatsia, Viktor Fernandez, Aldi Gjumsi dhe Abel Abah kanë kufizuar alternativat në lojën anësore, duke reduktuar fleksibilitetin taktik të ekipit.
Edhe mesfusha ka pësuar goditje, me Ian Soler, Hajrulla Tola dhe Eliton Zhnior që nuk janë më pjesë e skuadrës, duke ndikuar në qarkullimin e topit dhe krijimtarinë në fazën ofensive. Në sulm, largimet e Emanuel Ernest dhe Alfred Mensah kanë reduktuar opsionet për finalizim, ndërsa në portë është larguar Leon Kozi, duke detyruar klubin të rishikojë edhe repartin e fundit të fushës. Të gjithë këta lojtarë janë larguar si futbollistë të lirë, çka nënkupton se klubi nuk ka përfituar financiarisht nga këto dalje.
Kujtojmë që nga 11-shja e parë e këtij sezoni kanë mbijetuar vetëm Haxhiu, Rafael dhe Tabeku, të tjerët janë spastruar. Këto zhvillime vijnë në një moment shumë delikat për Tiranën, e cila aktualisht ndodhet në vendin e nëntë me 27 pikë dhe rrezikon Kategorinë Superiore. Humbja e një numri kaq të madh lojtarësh brenda pak muajsh pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në rezultatet e skuadrës në javët e mbetura, ku çdo pikë është jetike për mbijetesën.
Tashmë, sfida për bardheblutë nuk është vetëm të shmangin rënien nga kategoria, por edhe të nisin një proces të thellë rindërtimi. Klubi do të duhet të rikrijojë stabilitet sportiv, të ndërtojë një grup të ri konkurrues dhe të rikthejë besimin brenda dhe jashtë fushës, pas një periudhe që ka lënë gjurmë të dukshme në strukturën e ekip.
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL













