Njëmbëdhjetë gola të shënuar, zbuloni statistikat interesante të javës së 32-të të Superiores

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 3, 2025 | 23:43

Njëmbëdhjetë gola të shënuar, zbuloni statistikat interesante të javës së 32-të të Superiores

Njëmbëdhjetë gola u shënuan në javën e 32-ë të Superiores. Ndeshja që regjistroi më shumë rrjeta të tundura ishte ajo mes Skënderbeut dhe Dinamos (4-1), ndërsa vetëm një takim u mbyll pa gola, ai mes Vllaznisë dhe Teutës. Tri ekipe vendëse arritën të marrin pikët e plota (Skënderbeu, Elbasani, Partizani). Vetëm Egnatia arriti të fitonte në transfertë.

Superiore

* Pesë gola të kësaj jave u shënuan nga 3 lojtarë të huaj. Eleke (Nigeri), 3 Nasr (Egjipt), Guindo (Mali). Ndërsa futbollistët shqiptarë që shënuan ishin: Qose 2, Lushkja, Nikaj, Qardaku dhe Përgjoni.

* Një penallti pati kjo javë në Superiore dhe ajo u akordua në favor të Skënderbeut në duelin kundër Dinamos. U ekzekutua saktë.

* 18 kartonë të verdhë u akorduan në katër ndeshje të Superiores, pasi Skënderbeu-Dinamo ishte takimi që nuk u nxor asnjë. Ndërkohë, përballja me më shumë të ndëshkuar ishte Elbasani-Tirana, me 7 të tillë. Kujtojmë që nuk pati asnjë karton të kuq.

GAFA E JAVËS- Nëse ka një gabim që mund të kushtojë është ai i skuadrës së Laçit në humbjen me Partizanin. Mbrojtësi Opeh mundohet të stopojë një top, por e merr keq dhe Eleke ia rrëmben duke iu drejtuar me shpejtësi portës, por edhe sulmuesi i kuq e humbet disi topin nga kontrolli dhe aty del portieri Molla, i cili godet sferën, por ajo përplaset në trupin e Elekes dhe i drejtohet rrjetës. Një gabim i rëndë.

GOLI MË I BUKUR – Regi Lushkja ka marrë rolin e goleadorit në skuadrën e Egnatias. Mesfushori po kalon një formë fantastike dhe këtë e dëshmoi edhe në fitoren e arritur të rrogozhinasve në Ballsh. Me 14 rrjeta, goli i fundit i Regi Lushkjes në portën e brazilianit Baptista vlerësohet si më i bukuri i javës së 32-të të Superiore. Një krosim nga e majta dhe një koordinim në ajër, topi u ngul direkt edhe në rrjetë.

PANORAMASPORT.AL