Elbasani me fat, vëzhgimi e tregon pa humbje në debutim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 28, 2026 | 19:31

Elbasani me fat, vëzhgimi e tregon pa humbje në debutim

Elbasani po numëron ditët drejt nisjes së sezonit të ri të Superiores, ku verdheblutë do ta nisin kampionatin me një transfertë të vështirë ndaj Laçit. Skuadra e Ivan Gvozdenoviçit synon ta lërë pas zhgënjimin europian dhe të fokusohet te kampionati, ndërsa objektivi i parë është një nisje pozitive. Statistikat e viteve të fundit janë në anën e verdhebluve, të cilët nuk e kanë njohur humbjen në ndeshjen hapëse, pavarësisht kategorisë ku kanë luajtur.

elbasani

BILANCI – Tre sezonet e fundit kanë sjellë rezultate pozitive në javën e parë për Elbasanin. Në edicionin 2023-2024, kur verdheblutë militonin në Kategorinë e Parë, debutuan me një barazim 1-1 në transfertën ndaj Kastriotit. Një vit më vonë, në rikthimin në Superiore, historia u përsërit pothuajse identike, teksa Elbasani mori një tjetër barazim 1-1 në fushën e Skënderbeut, duke nisur kampionatin me një pikë të vlefshme jashtë shtëpisë.

Ndërkohë, sezoni i fundit solli edhe fitoren e parë në një ndeshje hapëse, pasi verdheblutë mposhtën Flamurtarin me rezultatin minimal 1-0, duke e nisur në mënyrën më të mirë rrugëtimin e tyre. Kjo do të thotë se në tre sezonet e fundit Elbasani regjistron dy barazime dhe një fitore në javën e parë, pa pësuar asnjë humbje.

TRANSFERAT – Një tjetër detaj interesant lidhet me ndeshjet e para të zhvilluara jashtë fushe. Si ndaj Kastriotit, ashtu edhe ndaj Skënderbeut, Elbasani nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1. Edhe këtë sezon verdheblutë do ta nisin kampionatin në transfertë, kësaj radhe përballë Laçit, në një stadium tradicionalisht të vështirë për çdo skuadër. Statistikat nuk fitojnë ndeshje, por tregojnë se Elbasani ka ditur ta menaxhojë mirë presionin e javës së parë, sidomos kur ka luajtur larg shtëpisë. Pikërisht këtë vazhdimësi synojnë të ruajnë edhe në sfidën ndaj kurbinasve.

PËRGATITJET – Në kampin verdheblu puna vazhdon me intensitet, ndërsa stafi teknik po analizon në detaje kundërshtarin. Laçi konsiderohet një skuadër e fortë në fushën e vet dhe ndeshja pritet të jetë një provë serioze për ekipin e Ivan Gvozdenoviçit. Gjatë ditëve në vijim pritet të punohet jo vetëm në aspektin fizik, por edhe në atë taktik, me synimin për të kufizuar pikat e forta të kundërshtarit. Paralelisht, drejtuesit vijojnë të jenë aktivë edhe në merkato për të kompletuar organikën, ndërsa trajneri pret ende disa përforcime përpara nisjes së kampionatit.

OBJEKTIVI – Pas paraqitjeve pozitive në Europë, edhe pse pa arritur kualifikimin, Elbasani dëshiron ta transferojë të njëjtin nivel loje edhe në Superiore. Një rezultat pozitiv në Laç do t’i jepte qetësi skuadrës për javët në vazhdim dhe do të konfirmonte se verdheblutë mbeten një ekip konkurrues edhe në sezonin e ri. Tradita e viteve të fundit është në favor të Elbasanit. Tani mbetet për t’u parë nëse verdheblutë do ta zgjasin serinë pa humbje në ndeshjen hapëse dhe do ta nisin edhe këtë edicion me këmbën e mbarë.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL