Një fazë e dështuar, Dinamo shpreson te shansi i fundit për “Final Four”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 12, 2026 | 9:47

Një fazë e dështuar, Dinamo shpreson te shansi i fundit për “Final Four”

Dinamo e mbylli fazën e tretë të kampionatit në mënyrën më të keqe të mundshme ku veç se u mund në derbi ndaj Partizanit, blutë humbën njëkohësisht edhe vendin e katërt në klasifikim.

dinamo

Ndeshja ndaj Partizanit nuk ishte një rastësi që u humb duke qenë se faza e tretë e kampionatit, ka qenë në përgjithësi një fazë e dështuar për të besuarit e trajnerit Ilir Daja. Vetëm një fitore e arritur në 9 ndeshjet e kampionatit, është shumë pak për një skuadër të mirëinvestuar dhe që synon titullin kampion, ose më saktë e nisi kampionatin me pretendime të mëdha. Fitimi i Kupës dhe Superkupës në pak muaj, dha imazhin se Dinamo do të ishte skuadra që do të bënte ligjin në kampionat megjithatë oshilacionet e treguara në vitin 2026, e kanë bërë Dinamon që të rrezikojë seriozisht edhe vendin e katërt.

KALENDARI I FAZËS 4- Dinamo do ta nisë fazën e katërt të kampionatit me një përballje në shtëpi ndaj Teutës, skuadër të cilën këtë sezon nuk e ka mundur asnjëherë. Në 9 ndeshje që do të zhvillojë, 5 prej tyre do të jenë në shtëpi dhe 1 tjetër në transfertë, por që mbetet brenda kryeqytetit duke qenë se është përballja me Partizanin. Kështu, nga 9 sfida, Dinamo do të luajë vetëm 3 herë jashtë Tiranës dhe ky kalendar mund ta favorizojë jo pak nëse arrin të shfrytëzojë efektin fushë, ku për hir të së vërtetës, këtë sezon nuk ka ndikuar shumë te Dinamo pasi nuk ka pasur mbështetje të madhe në tribuna. Fillimi i fazës është “bombë” duke qenë se menjëherë do të ketë rivalë skuadra nga “Final 4” pasi pas Teutës, është transferta në Shkodër e më pas përballja me Elbasanin në shtëpi.

STATISTIKAT E FAZËS – Dinamo e nisi fazën e katërt me një barazim ndaj Teutës dhe u duk i njëjti vazhdim si në fazat e shkuara, megjithatë gjërat ndryshuan. Një humbje ndaj Vllaznisë në shtëpi, Elbasanit në transfertë, një barazim me Bylisin në shtëpi dhe barazimi tjetër me Tiranën në “Selman Stërmasi”, zbuluan se Dinamo po kalonte një moment të vështirë. Në katër sfidat e para të këtij viti kalendarik në kampionat, Dinamo vetëm po pësonte dhe nuk shënoi asnjë gol. Blutë u rikthyen te fitorja në Kupë ndaj Tiranës duke dhënë sinjale pozitive por sërish u rikthye “makthi” i kampionatit duke qenë se barazuan me Flamurtarin e vendit të fundit asokohe dhe më pas u mundën nga Egnatia. Të vetmen fitore, Dinamo e mori ndaj Vorës në transfertë me rezultatin 1-2, aty ku goli i fitores u realizua vetëm në shtesë nga Teikseira me një goditje nga jashtë zone, ku vendësit ishin me të kuq. Në total, blutë kanë marrë 4 barazime dhe vetëm një fitore duke pasur gjithashtu 4 humbje të tjera të cilat ia kanë rënduar bilancin. Sa i përket golave, Dinamo ka realizuar vetëm 4 dhe ka pësuar 10 të tjerë duke zhgënjyer jo pak me paraqitjet e saj.

KRAHASIMI I FAZAVE – Nëse bëjmë një krahasim mes 3 fazave për Dinamon, kjo ka qenë padyshim faza më e dobët që ka pasur deri më tani. Jo vetëm në pikët e grumbulluara, por Dinamo ka bërë më keq se në fazat e para në çdo aspekt. Blutë kanë grumbulluar këtë fazë vetëm 7 pikë në 9 ndeshje të zhvilluara, ecuri kjo që do ta kthente Dinamon në skuadër që lufton për rënie nga kategoria nëse kampionati do të niste tani. Fazën e parë, Dinamo e ka mbyllur me 17 pikë, duke qenë një nga skuadrat pretendente. Dinamo numëronte 5 fitore, 2 barazime dhe 2 humbje në fillimin e kampionatit. Në fazën e dytë, Dinamo ishte në kuotën e 32 pikëve duke grumbulluar në total 15 pikë nga kjo fazë. Në total, Dinamo arriti të merrte 4 fitore, si edhe 3 barazime dhe 2 humbje të tjera. Faza e fundit ishte zhgënjimi që e largoi Dinamon nga çdo objektiv që kishte në fillim të sezonit edhe pse është një fazë për t’u luajtur deri në përfundim të kampionatit.

RENDITJA E FAZAVE – Dinamo ka provuar këtë sezon të jetë edhe në vendin e parë dhe për shumë javë ka qëndruar edhe në vendin e dytë. Pas fundit të fazës së parë, Dinamo e shihte veten në vendin e tretë në kampionat me 17 pikë. Vllaznia ishte e para asokohe dhe kishte vetëm 2 pikë më shumë se Dinamo ndërkohë që Egnatia e vendit të dytë kishte vetëm 1 pikë më shumë se Dinamo. Në fundin e fazës së dytë, Dinamo e shihte veten sërish në vendin e tretë por këtë herë kishte 32 pikë, 5 më pak se vendi i parë që mbahej nga Egnatia ndërkohë që Vllaznia renditej e katërta me 2 pikë më pak se Vllaznia duke humbur shumë terren. Sa i përket fazës së tretë, ekuilibrat kanë ndryshuar dhe tashmë Dinamo është jashtë zonës së “Final 4” duke e parë veten 3 pikë më pak se Partizani. Skuadrat e tjera janë shkëputur ndjeshëm. Vllaznia e vendit të parë ka 12 pikë më shumë se dinamo, ndërkohë që në 10 është diferenca e Dinamos me vendin e dytë dhe të tretë që mbahen nga Egnatia dhe Elbasani.

KUPA- Sakaq, Dinamo do të angazhohet edhe në Kupën e Shqipërisë, ku e pret një përballje shumë e vështirë me Vllazninë. Kryeqytetasit arritën të shkojnë në gjysmëfinale duke mundur Tiranën në të dyja sfidat mes tyre me rezultatin 2-0, rezultat ky që e lejoi të kualifikohet. Ndaj Vllaznisë e pret një përballje shumë e vështirë, sidomos duke parë formën që kuqeblutë po kalojnë. Por, Dinamo nga ana tjetër duket se Kupën e ka objektiv real pasi duke parë skuadrat e shkëputura në kampionat, Kupa mund të jetë një shpëtim për sezonin aktual.

Kampionati ka edhe 9 përballje e më pas “Final 4” për të siguruar vendin në Europë ndërsa nga Kupa, ky vend mund të sigurohet me vetëm 3 ndeshje. Këtë vit, Dinamo ka zhvilluar 3 sfida në Kupë duke fituar të tria me rezultatin e përgjithshëm 7-0. Një fitore 3-0 ndaj Besës në janar, u ndoq edhe nga dy fitore të tjera me shifrat 2-0. Në finalen e mundshme të Kupës, Dinamo përballet me fituesin e çiftit Egnatia-Elbasani, ku edhe mund të diskutohet trofeu.

ERJON ALLARAJ – PANORAMASPORT.AL