Nga Partizani te Partizani, derbi si makth për Tiranën. “Demat” frenuan serinë pozitive të ekipit të Nuhijut
Periudha nga 7 dhjetori 2025 deri më 15 shkurt 2026 për Tiranën në kampionat përmbledh në mënyrë perfekte sezonin bardheblu. stabilitet relativ, pak humbje, por shumë barazime që kanë frenuar hovin në renditje.
Në 10 ndeshje të Superiores gjatë këtij intervali, Tirana ka regjistruar 3 fitore, 5 barazime dhe 2 humbje, duke grumbulluar 14 pikë me një mesatare prej 1.4 pikësh për ndeshje. Një bilanc që nuk flet për krizë, por as për një skuadër që po dominon.
DERBET PESHOJNË – Seria nis dhe mbyllet me Partizanin, dy humbje 2-0 që kanë peshë jo vetëm në renditje, por edhe në aspektin psikologjik. Në të dyja përballjet, Tirana ka hasur vështirësi për të imponuar lojën e saj dhe për të qenë efikase në fazën sulmuese. Këto dy ndeshje përbëjnë diferencën më të madhe në këtë bilanc 10- javor.
BARAZIMET – Pesë barazime në dhjetë ndeshje janë tregues i një skuadre që rrallë dorëzohet, por që njëkohësisht nuk arrin ta “vrasë” ndeshjen. Rezultatet 1-1 ndaj Teutës, Vllaznisë, Elbasanit, Vorës dhe Dinamos tregojnë një model të përsëritur. Ndeshje të balancuara, pak gola dhe mungesë konkretizimi në momentet kyçe. Në disa prej këtyre sfidave, Tirana ka kaluar në avantazh ose ka pasur mundësi për ta bërë këtë, por mungesa e efikasitetit në zonën kundërshtare ka bërë që të kënaqet me nga një pikë. Në një kampionat të ekuilibruar si Superiorja, këto barazime shpesh bëjnë diferencën mes zonës së sipërme dhe mesit të tabelës.
FITORET – Tre fitoret, ndaj Bylisit (0-1), Flamurtarit (1-0) dhe Egnatias (0-1), kanë ardhur me rezultat minimal, çka dëshmon për një skuadër pragmatike. Tirana ka ditur të administrojë avantazhin dhe të ruajë ekuilibrat, por gjithmonë në limite të ngushta. Këto suksese tregojnë se kur është e përqendruar dhe efikase, skuadra ka potencial për të marrë maksimumin. Veçanërisht fitorja në transfertë ndaj Egnatias ka qenë një sinjal force, duke qenë se erdhi ndaj një rivali direkt dhe në një fushë të vështirë.
PROBLEMI I GOLIT – Në këtë periudhë, Tirana ka pësuar pak gola në shumicën e ndeshjeve, por gjithashtu nuk ka qenë shumë prodhuese në sulm. Shumë sfida janë mbyllur me vetëm një gol të shënuar ose të pësuar, çka tregon një ekip të ekuilibruar, por jo shpërthyes.
PANORAMA E PËRGJITHSHME – 14 pikë në 10 ndeshje nuk janë pak, por as mjaftueshëm për të bërë shkëputje nga fundi. Tirana ka treguar se është e vështirë për t’u mposhtur (vetëm dy humbje), por për të synuar më lart duhet të rrisë numrin e fitoreve dhe të reduktojë barazimet. Nga Partizani te Partizani, bardheblutë kanë kaluar një cikël të plotë, ku konstanta ka qenë ekuilibri, por jo dominimi. Nëse në fazën e mbetur të kampionatit arrijnë të kthejnë disa nga këto barazime në trepikësha, atëherë skenari mund të ndryshojë ndjeshëm. Përndryshe, rrezikojnë të mbeten në të njëjtin ritëm mesatar, pa bërë hapin vendimtar drejt objektivave sezonalë.
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL













