Nga mbërritja në Shqipëri te trofetë me blutë, Nani: Dinamo është klub me ambicie, jo kalimtar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 23, 2026 | 12:55

Nga mbërritja në Shqipëri te trofetë me blutë, Nani: Dinamo është klub me ambicie, jo kalimtar

Tiago Nani arriti te Dinamo pa shumë pretendime dhe ndoshta shumë pak prisnin që të ishte në një nivel siç po e tregon, por aktualisht ai është një nga pikat më të forta të Dinamo dhe një prej emrave më të spikatur të futbollit shqiptar në këtë sezon.

nani

Me 3 gola dhe 4 asistime, portugezi ka qenë një nga lojtarët më konstantë të bluve, ndërsa së fundmi ka shtuar në palmaresin e tij edhe Superkupën e Shqipërisë. Ky është trofeu i dytë për Dinamon që nga ardhja e tij, pas Kupës së Shqipërisë të fituar sezonin e kaluar, duke konfirmuar rritjen e projektit sportiv. Sezoni aktual ka qenë një provë force si për lojtarin, ashtu edhe për skuadrën.

TROFETË ME DINAMON- Në prononcimet e tij për mediat, Tiago Nani vë theksin te rëndësia e suksesit kolektiv, duke e lidhur formën personale me rezultatet e ekipit.

“Ka qenë një sezon shumë pozitiv, si kolektivisht ashtu edhe individualisht. Kam qenë në gjendje ta ndihmoj ekipin me gola, asiste dhe gjithashtu në mbrojtje. Gjëja më e rëndësishme është që kjo të reflektohet në fitore dhe tituj”, thotë fillimisht Nani, teksa flet edhe për fitimin e Superkupës pak javë më parë.

“Titulli i parë është gjithmonë i veçantë, por ky konfirmon qëndrueshmërinë e punës sonë. Tregon se Dinamo nuk është një projekt kalimtar, është një klub me ambicie dhe objektiva të përcaktuara”, shprehet Nani në intervistën e dhënë.

LIGA E KONFERENCËS- Një tjetër moment i rëndësishëm i sezonit ishte pjesëmarrja e Dinamos në Europë. Tiago Nani hyri në histori duke u bërë lojtari i parë portugez që aktivizohet në Ligën e Konferencës me një klub shqiptar.

“Në atë kohë isha i përqendruar vetëm te loja, por më pas kuptova se ishte një moment i veçantë, jo vetëm për mua, por edhe për klubin dhe për futbollin shqiptar”, thotë ai.

FILLIMET- Nani e nisi karrierën e tij në akademitë e futbollit portugez e më pas me ekipe për të rritur, por pa arritur të bëjë hapa të mëdhenj. Me U23 e Aves, ai fitoi kampionatin dhe Kupën duke marrë konfirmimet e para si lojtar me potencial.

“Atëherë fillova të besoja vërtet në veten time. Fillova t’i qasem futbollit me më shumë përgjegjësi dhe kuptova se, me punë, ajo ëndërr mund të bëhej realitet. Liga Revelaçao është një garë shumë kërkuese, me lojtarë të mirë dhe ekipe të mira, që i afron të rinjtë shumë më tepër me realitetin profesional. Sa herë që mundem, i ndjek ndeshjet. Është një kampionat me shumë potencial dhe një iniciativë të shkëlqyer; është i mirë për të gjithë”, thotë Nani.

OSKAR PIETUSZEVSKI– Në Ligën e Konferencës, Nani u përball me lojtarin që aktualisht luan me Porton dhe e konsideron një duel shumë interesant duke e vlerësuar maksimalisht.

“Ishte një ndeshje shumë interesante. Ai është një lojtar me shumë cilësi dhe potencial, përshtatet mirë te Porto. Këto ndeshje na lejojnë të masim forcën tonë kundrejt realiteteve të ndryshme dhe kjo është gjithmonë pasuruese”, përfundon sulmuesi i Dinamos.

PANORAMASPORT.AL