Nga largimet te afrimet për sezonin e ri, Tragaj: Vora me baza të forta, pretendojmë shumë
Tek Vora ka kaluar 10-ditëshi i parë i pushimeve për lojtarët, por jo për stafin drejtues të klubit, të cilët janë duke punuar në përfundimin e një projekti për ndërtimin e një Vore të qëndrueshme dhe me baza të forta për sezonin e ardhshëm.

Fillimisht ata kanë përcaktuar axhendën e veprimeve të sezonit të ri në programin stërvitor të lojtarëve, e cila do të nisë me rigrumbullimin e lojtarëve në stërvitje dhe me fillimin e një faze përgatitore. Siç është bërë me dije edhe më parë, Vora do të zhvillojë edhe një minifazë 20-ditore në shtetin grek, ku janë parashikuar edhe disa miqësore me skuadra greke të të njëjtit nivel.
Lidhur me zhvillimet më të fundit në klubin vorak, drejtori sportiv Bazjon Tragaj shprehet për “Panorama Sport”: “Pasi kemi mbyllur një sezon shumë të vështirë në një rrugë të panjohur për një klub debutues, tashmë jemi në një fazë të projektit afatgjatë ‘Vora Superiore’. Të gjithë përbërësit e këtij projekti janë duke punuar në disa drejtime për të pasur një skuadër me baza të forta e të qëndrueshme, ku të mos e diskutojë mbijetesën. Kemi nisur me formatimin e skuadrës së re, ku pavarësisht zyrtarizimeve të vetëm 7 lojtarëve përbërës të skuadrës, ne në letër kemi gjithçka gati për ata futbollistë që do të jenë pjesë e Vorës në Superiore. Enigmë mbeten vetëm afrimet e reja gjatë merkatos. Kjo për shkakun e axhendave të bisedimeve, ku preferohen lojtarë shumë herë më cilësorë se ata që kishim në dispozicion.
Deri tani kemi afruar vetëm një lojtar, Ersildjo Asllanaj. Ndërhyrjet në merkato do të jenë gati në të gjitha repartet e skuadrës, në mënyrë që për çdo rol të ketë alternativa zgjedhëse për trajnerin e skuadrës, në mënyrë që të ndërtojë një formacion shpërthyes në lojë. Ne duhet të jemi modestë në synimet dhe objektivat tona, ku qëllimi kryesor duhet të jetë qëndrueshmëria në elitë edhe për këtë sezon. Duke ndërtuar bazat e forta të skuadrës së re, ne do të kërkojmë më shumë pretendime e synime në sezonet e ardhshme”, tha ai.
ABDULLAH DUSHKU-PANORAMASPORT.AL













