Nga kapsollat te VAR-i i kërkuar, çfarë ndodhi në stadium gjatë ndeshjes Elbasani-Egnatia
Ndeshja mes Elbasanit dhe Egnatias nuk prodhoi vetëm emocione në fushë, por edhe një sërë episodesh pikantë jashtë saj: nga drejtimi i pazakontë i Egnatias “nga distanca”, me Edlir Tetovën që komunikonte nga tribuna përmes kufjeve, te atmosfera e zjarrtë e mbi 5 mijë tifozëve vendas dhe festa e “Arrakat Boys” me flakadanë e koreografi.

Në fund, edhe pse pa fitore, lojtarët e Elbasanit morën mbështetjen e tifozëve, ndërsa heshtja totale e kampit të Egnatias pas ndeshjes shtoi edhe më shumë misterin rreth asaj që ndodhi. Të gjitha këto dhe jo vetëm janë disa nga pikantet që serviren nga “Panorama Sport”.
– Egnatia mbetet pa timonier në pankinë, teksa në protokoll ishte vetëm doktori Ervin Karafili. Udhëzimet në fushë i jepte një i “panjohur”, teksa në vesh mbante kufje, ku mesa duket komunikonte me Tetovën për të marrë dhe dhënë udhëzime. Ky i fundit e pa ndeshjen së bahsku me stafin e pezulluar në një nga gabinat e stadiumit.
– Mbi 5 mijë tifozë iu përgjigjën thirrjes së klubit për të mbështetur Elbasanin në këtë ndeshje. Mes tyre edhe femra, ku dihet që hyrja për to ishte e lirë. Mund të thuhet se u mbushën pritshmëritë e klubit për praninë e tifozerisë në stadium, sepse edhe parashikimimet ishin për mbi 5 mijë, siç edhe ndodhi.
– Grupimi ultras “Arrakat Boys” mbushi dy vjeç mbrëmjen e djeshme. E festuan këtë përvjetor me një baner gjigand dhe me flakadanë. Ishin përkrahja më e madhe e verdhebluve në këtë ndeshje deri në fund. Më herët, ata bënë parakalimin e tyre në bulevard me flamuj dhe këngë, duke ngjallur interesimin e kureshtarëve që kalonin aty pranë.
– Në minutën e 32’ pranë gjyqtarit të FIFA-s, Rejdi Avdo, u hodh një kapsollë. Dhe arbitri anësor mbeti i dëmtuar. Ishte një moment kur një futbollit i Egnatias ishte aty pranë vijës anësore, ndaj edhe solli irritimin e tifozëve vendas. Musta shkon të qetësojë tifozët për të rifilluar loja.
– Portieri Mario Dajsinani në shumë raste mundohej që të vononte sa më shumë lojën, momente këto që sollën edhe pakënaqësitë e tifozëve vendas.
-Ivan Gvozdenoviç ishte shumë i irrituar në disa momente, ku kulmin e arriti në fund ku pretendoi një penallti për të tijtë. Ai bënte me shenjë nga gjyqtari i katërt që të kërkonte ndërhyrjen për ta riparë në VAR këtë moment, por që nuk u degjuan thirrjet e tij. Më herët, ai ishte ndëshkuar në pjesën e parë edhe për protesta.
– Në fund, lojtarët e Elbasanit shkuan tek tifozët dhe morën duartrokitjet e tyre, pavarësisht se nuk i kënaqën dot me një fitore. Lidhja mes ekipit dhe tifozëve, mesa duket është shumë e ngushtë, edhe pse rezultati nuk ishte ai që pretendonin.
– Ekipi i Egnatias vijon të “kyç” sërish gojën, pasi në përfundim të ndeshjes nuk doli askush për të folur. As “trajneri” provizor në pankinë. Madje, “Panorama Sport” kontaktoi në fund trajnerin Edlir Tetova për një prononcim, por përgjigja ishte negative.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













