Nga Greqia për të ndjekur skuadrën e zemrës, Arapi: Flamurtari më zhgënjeu, s’është ekipi që do Vlora
Ish-portieri i njohur Anesti Arapi ,ka udhëtuar posaçërisht nga Greqia drejt Vlorës për të ndjekur nga afër skuadrën e zemrës, Flamurtarin.

62-vjeçari, i cili prej shumë vitesh jeton në shtetin fqinj, ka një histori të gjatë me kuqezinjtë, pasi ka mbrojtur portën e tyre në periudhën 1986-1991. Pas kësaj, Arapi zhvilloi një aventurë të shkurtër me Iraklisin e Greqisë (1991-1992), për t’u rikthyer më pas në Vlorë, ku luajti deri në vitin 1997. Gjatë një prononcimi për “Panorama Sport”, Arapi shprehet se në këtë rikthim e kanë bërë përshtypje dy gjëra kryesore, stadiumi i transformuar dhe zhgënjimi nga skuadra, e cila sipas tij nuk përfaqëson më shpirtin e dikurshëm të Flamurtarit.
“Falënderoj presidentin Sinan Idrizi për punën e jashtëzakonshme që ka bërë në stadium. Është diçka shumë e bukur, një impiant modern me të gjitha kushtet, që ngjan me stadiumet jashtë Shqipërisë. Një dhuratë e vërtetë për qytetin e Vlorës. Falënderoj edhe tifozët, sepse japin shumë për ta mbështetur skuadrën dhe e duan Flamurtarin në shkallët më të larta. Unë ndoqa nga afër ndeshjen me Elbasanin, por ajo që pashë më zhgënjeu. Skuadra më dukej pa gjendje fizike, pa energji. Erdha posaçërisht nga Greqia për ta parë, por ajo që pashë nuk ishte Flamurtari që do Vlora. Gabimet ishin të pafalshme”, u shpreh fillimisht Arapi.
KRITIKA PËR ALEKSOVSKIN – Si ish-portier, Arapi nuk ngurron të analizojë dhe të kritikojë “gardianin” aktual të Flamurtarit, Igor Aleksovski, i cili është edhe pjesë e kombëtares së Maqedonisë së Veriut. Sipas tij, portieri duhet të ketë më shumë autoritet në zonë dhe të organizojë më mirë mbrojtjen. “Goli që pësuam ndaj Elbasanit ishte gabim portieri. Një portier i mirë duhet të zotërojë të gjithë zonën e 16 metrave. Këtë nuk e pashë te Aleksovski. Përveç problemeve në mbrojtje, pati edhe gabim individual. Portieri nuk duhet të dalë gjithmonë pa arsye. Ishin shtatë lojtarë në zonë dhe nuk markonin asnjë. Detyra e portierit është t’i orientojë, t’u ndajë detyrat, t’u tregojë pozicionet. Kjo mungesë komunikimi është shqetësuese”, theksoi ish-portieri.
PRITSHMËRITË PËR TË ARDHMEN – Në fund, ish-portieri i kuqezinjve shprehet me shpresë se Flamurtari do të ndryshojë mentalitet dhe do të rifitojë identitetin e tij të dikurshëm. “Dua të shoh një Flamurtar me një mentalitet tjetër, siç e do Vlora. Në ndeshjen që pashë, Elbasani kishte një organizim ndryshe, një skuadër të përgatitur që e kishte lexuar lojën tonë. Flamurtari nuk kishte lidhje mes reparteve – nga mbrojtja në mesfushë e deri në sulm. Ndoshta kjo ishte një ditë e keqe, një ndeshje që më gënjeu si përshtypje, por shpresoj shumë që në vijim skuadra të ndryshojë dhe të tregojë forcë, nerv e shpirt fitues. Këtë e uroj me gjithë zemër”, përfundoi Anesti Arapi.
ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL













