“Nëndetësja”, me dy shkodranë në stol/ Disa dilema te Dinamo për duelin e së shtunës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 14, 2025 | 22:18

“Nëndetësja”, me dy shkodranë në stol/ Disa dilema te Dinamo për duelin e së shtunës

Në radhët e Dinamos bëjnë pjesë edhe dy futbollistë shkodranë, por që deri tani nuk janë bërë faktor me fanellën blu. Bëhet fjalë për sulmuesin Eridon Qardaku dhe portierin Tomas Kiri. I pari u bashkua me kryeqytetasit në merkaton e verës dhe deri tani ka luajtur shumë pak, vetëm 114 minuta në 5 ndeshje, 1 nga të cilat si titullar.

Dinamo1

Qardaku ka pasur disa dëmtime gjatë sezonit, që e kanë lënë jashtë skuadre për shumë ndeshje. Portieri Kiri u bë pjesë e “Nëndetëses” në merkaton e janarit, kur la Italinë dhe u kthye në futbollin shqiptar. Ai nuk ka debutuar ende me fanellën e Dinamos. Të shtunën këta dy lojtarë do të jenë kundërshtarë me ekipin e qytetit ku kanë lindur, por nuk është se kanë luajtur me Vllazninë.

Trajneri Ilir Daja ka sot edhe një seancë të fundit stërvitore, pas së cilës duhet të vendosë se çfarë strategjie do të ndjekë kundër Vllaznisë dhe cilët do të jenë titullarët.

Mungesa e sigurt për të shtunën është ajo e mesfushori Bakari Gudiabi, ndërkohë që do të shihet gjendja e sulmuesit Mandela dhe lojtarëve që janë rikthyer nga dëmtimet, nëse do të jenë gati për titullarë, apo do ta nisin nga stoli. Kapiteni Bruno Dita dhe Dejvi Bregu kanë bërë stërvitje me grupin rregullisht këtë javë, ashtu si dhe portieri Edmir Sali që ka punuar me trajnerin Ilir Bozhiqi dhe portierët e tjerë në skuadër.

Nga skualifikimi rikthehet Jorgo Meksi për të zënë vend në krahun e djathtë të prapavijës. Trajneri Daja këtë herë do të ketë më shumë alternativa se në ndeshjet e fundit dhe me siguri ai do të vendosë për ata lojtarë, të cilët i përshtaten më shumë një kundërshtari si Vllaznia.

PANORAMASPORT.AL