“Nëndetësja” do kthesën, ndaj Vorës bën punë vetëm fitorja
Dinamo do të zbresë sot në fushë në kuadër të javës së 26- të të Superiores, ku përballë do të ketë skuadrën e Vorës. Ky sezon ka qenë me shumë oshilacione për të besuarit e Dajës, sidomos kur bëhet fjalë për fazën e tretë të kampionatit. kryeqytetasit nuk kanë arritur të fitojnë asnjë ndeshje nga 7 të mundshmet që janë zhvilluar dhe kjo mungesë e fitores, ka bërë që ekipet e vendeve të para, të shkëputen edhe më shumë në krye, duke lënë Dinamon me diferencën e 12 pikëve nga vendi i parë.

Ndërkohë, ndaj Vorës të besuarit e Dajës do të synojnë me patjetër që të marrin fitore për të mos lejuar më shumë shkëputje e njëkohësisht për të ruajtur vendin e katërt, të paktën deri javën e ardhshme kur do të jetë përballja direkte mes Partizanit dhe Dinamos, dy skuadra që aktualisht janë në kuotë të barabartë pikësh.
SFIDA- Takimi mes Vorës dhe Dinamos, është planifikuar të zhvillohet ditën e sotme duke nisur nga ora 13:30 në stadiumin e Vorës, aty ku Dinamo luan për herë të parë pas rinovimit të stadiumit. Sfidat e mëparshme janë luajtur në Tiranë të dyja, fillimisht në “Arenën e Demave” e më pas në stadiumin “Air Albania”.
Natyrisht skuadra e Dajës nuk do ta ketë të lehtë për të fituar ndaj një rivali që deri më tani ka ditur t’i hapë probleme çdo kundërshtari që ka pasur përballë dhe ka ditur t’i vërë jo pak në vështirësi, aq më tepër që tani ndeshjet i luan para tifozëve të saj.
STATISTIKAT- Këtë sezon, Dinamo ka arritur të marrë maksimumin ndaj një rivali si Vora, duke e mundur në të dyja sfidat. Në takimin e fazës së parë të luajtur në “Arenën e Demave”, Dinamo fitoi me rezultatin 0-2, aty ku në fakt nuk ishte një fitore e lehtë. Vendësit shprehën edhe pakënaqësi me gjykimin e atij takimi megjithëse sfida u mbyll pa tension.
Në ndeshjen e fazës së dytë, Dinamos iu desh të bënte një sforco edhe më të madhe. Skuadra e Dajës ishte në disavantazh pas pjesës së parë, megjithatë në të dytën reagoi shumë mirë duke fituar takimin me rezultatin e ngushtë 2-1, fitore kjo që u pasua me fitore tjetër në derbi ndaj Partizanit e cila rezulton të jetë edhe e fundit në Superiore për Dinamon.
GJENDJA E SKUADRËS- Dinamo do të ketë dy mungesa të rëndësishme për takimin e sotëm ndaj Vorës. Sulmuesi Ibrahim Mustafa ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë dhe do të jetë jashtë për sfidën e sotme, ndërkohë që jashtë ka mbetur edhe Eridon Qardaku.
Mesfushori shkodran ka ndjerë shqetësime në stërvitjet e fundit të zhvilluara para ndeshjes dhe është lënë pushim nga stafi teknik për të mos rrezikuar më shumë pasi kalendari sa vjen e vështirësohet dhe do të jetë i ngjeshur, pasi veç kampionatit, Dinamo është edhe në Kupë.
PANORAMASPORT.AL













