Ndryshimet nuk janë risi, Kërnaja projekton formacionin e Partizanit për derbin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 23, 2025 | 9:57

Ndryshimet nuk janë risi, Kërnaja projekton formacionin e Partizanit për derbin

Partizani ndaj Dinamos duhet të vuajë mungesat e disa lojtarëve titullarë. Problemi më i madh është mesfusha, si dhe krahu i djathtë i mbrojtjes ku është dëmtuar Albion Marku.

partizani

Duke pasur parasysh pezullimin e Rouen Hjumen për shkak të kartonëve, trajneri Kërnaja duhet të improvizojë jo pak. Pas sfidës me Egnatian, dueli derbi në “Arena e Demave” nuk do të jetë aspak i lehtë.

FORMACIONI- Gjithçka nis nga portieri Qirko. Para tij me shumë gjasa do të jenë sërish pesë mbrojtës. Kola me shumë gjasa do të marrë vendin e Markut të dëmtuar, ndërsa Martinez pritet të kthehet pas një kohe të gjatë si alternativë. Sembene, Bytyçi, Janjeva dhe Atanaskoski do të plotësonin pjesën tjetër.

Më pas për mesfushën, asgjë nuk mund të thuhet me siguri me përjashtim të Ismailit. Kote, Shanaj, Mehmeti, si dhe Ogunleje që shënoi golin e fundit, po luftojnë për të paktën dy vende të tjera në mesfushë. Për repartin ofensiv, Isgandarli dhe Toma shikohen sërish si alternativat kryesore.

RIKTHIMET- Partizani mund të llogarisë dy rikthime në këtë moment të vështirë. Kapiteni Marçelino Preka ka lënë pas dëmtimin, megjithatë nuk dihet nëse do të preferohet nga minuta e parë. Tjetër rikthim është ai i Besar Gudjufit. Sulmuesi e humbi ndeshjen e fundit ndaj Egnatias, për shkak se plotësoi numrin e kartonëve ndaj Flamurtarit.

DËMTIMET DHE MERKATO- Partizani do të luajë sot ndeshjen e fundit për vitin 2025. Dëmtimet kanë qenë pjesë e pandashme e të kuqve, që presin rikthime në vitin 2026. Një futbollist si Doumbia për Partizanin aktual konsiderohet lojtar me mjaft peshë. Ndërkohë që përforcimet më të rëndësishme do të vijnë në repartin ofensiv. Partizani po punon konkretisht për të afruar sulmues anësorë. Largimet po ashtu nuk do të ishin çudi, pasi nuk mungojnë lojtarët me më pak minuta se ishin projektuar. Kështu në rast të ndryshimeve të tjera në mbrojtje apo mesfushë, atëherë po ashtu do të hapej rruga për përforcime të tjera.

EMANUEL LOCI – PANORAMASPORT.AL