“Ndizet” Bullari, Laçi beson te ish-sulmuesi kuqezi që erdhi në Superiore për të ringjallur karrierën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 16, 2025 | 23:29

“Ndizet” Bullari, Laçi beson te ish-sulmuesi kuqezi që erdhi në Superiore për të ringjallur karrierën

Emiljano Bullari po luan këtë sezon për herë të parë në Kategorinë Superiore si pjesë e Laçit. Sulmuesi 23-vjeçar i lindur në Greqi ka qenë një premtim i madh edhe për vetë Kombëtaren shqiptare deri katër vite më parë, kur u grumbullua nga ish-trajneri Edi Reja.

bullari

Pjesë e Kombëetares U-21 në gjashtë ndeshje, sulmuesi arriti të shënonte tri gola, ndërsa ka kaluar të gjitha grupmoshat kuqezi. I formuar te akademia e Olimpiakosit, karriera e shtatlartit pati shumë ulje-ngritje, por edhe me dëmtime që e penalizuan për të vijuar në nivele të larta. Pasi firmosi kontratë me klubin e madh grek, Olimpiakos, Bullari provoi të luante si huazim në skuadrat greke Atromitos, Kallamata dhe Egalio, por pa lënë gjurmë.

Tashmë, i riu kërkon të rinisë gjithçka nga kampionati shqiptar, me shpresën se mund të jetë një trampolinë për karrierën e tij. Laçi i ka dhënë mundësinë dhe gradualisht po bëhet sulmuesi kryesor i skuadrës së drejtuar nga Françesko Moriero.

Në ndeshjen e fundit në Kupë kundër Kukësit shënoi dy gola, ndërsa në kampionat, ka arritur të realizojë vetëm një herë në humbjen 2-1 ndaj Vllaznisë në stadiumin “Loro Boriçi”. Në Laç besojnë se tashmë Bullari do të kthehet në liderin e sulmit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"