“Ndërrimet e trajnerëve e kanë dëmtuar Flamurtarin”, ish-mesfushori skanon ecurinë e vlonjatëve: Po mundin vetveten
Roland Nenaj mendon se diferencat në këtë sezon të Kategorisë Superiore janë minimale, nga Vllaznia kryesuese deri te Flamurtari. Pësimi i lehtë i golave dhe ndryshimet e shpeshta të trajnerëve janë, sipas ish-mesfushorit vlonjat, arsyet kryesore që kanë penguar kuqezinjtë.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Nenaj thekson se në dy javët e fundit Flamurtari ka shfaqur ndryshim dhe mendon se deri në fund të sezonit duhet menduar për një zgjidhje afatshkurtër, duke rikonfirmuar në stol Lejdi Liçaj dhe Andi Ribaj. Ai parashikon një ndeshje të bukur ndaj Vllaznisë dhe thekson se Flamurtari ka cilësi për të bërë më shumë. 47- vjeçari flet gjithashtu edhe për futbollin e kohës së tij dhe për pengjet në karrierë.
Nenaj, si po e ndiqni kampionatin e këtij sezoni në Superiore?
Diferencat në këtë kampionat janë shumë minimale, nga ekipi i parë që është Vllaznia e deri te Flamurtari. Kjo është një gjë që i shërben Flamurtarit. Ne mund të fitojmë me këdo, ashtu siç mund të humbasim me këdo. Problemi është se pësojmë gol shumë lehtë dhe nuk arrijmë ta menaxhojmë ndeshjen kur kalojmë në avantazh. Kjo lidhet me mungesën e përgjegjësisë brenda 90 minutave.
Nëse ndalemi te Flamurtari, çfarë nuk po shkon në skuadër?
Mendoj se është ulur ndjesia e përgjegjësisë edhe për shkak të ndryshimeve të shumta, sidomos të trajnerëve. Por sot është bërë edhe një “modë” që trajnerët të justifikohen duke thënë se ekipin nuk e ndërtuan vetë, por e gjetën të gatshëm. Kjo krijon një ngërç dhe shpesh mungon marrja e përgjegjësisë brenda ekipit.
Mendoni se Flamurtari ka elementë cilësorë?
Po, skuadra ka cilësi. Pse e them këtë? Sepse kemi parë që Flamurtari ka gjetur forcat të mundë Egnatian dhe të shënojë i pari. Po ashtu ka vënë në vështirësi edhe Partizanin. Në ato minuta që pamë ndaj Partizanit, unë mendova se ndeshja mund të shkonte edhe 4-0 apo 5-0 në favorin tonë. Pra cilësia ekziston, por mungon përgjegjësia dhe menaxhimi i ndeshjes.
Trajneri Moriero është larguar dhe drejtimin e ka marrë dyshja Ribaj–Liçaj. A shihni ndryshime në këto dy javë?
Nuk dua të hyj shumë në detaje teknike, sepse ata që janë brenda ekipit i dinë më mirë problemet. Por në krahasim me ndeshjet e mëparshme, shoh më shumë agresivitet, grintë dhe dyluftime. Në fillim të kampionatit mungonte përgjegjësia, ndërsa në dy ndeshjet e fundit duket se lojtarët e duan më shumë fitoren. Unë mendoj se çështja e trajnerit duhet zgjidhur sa më shpejt. Nëse jo, atëherë të konfirmohen Liçaj dhe Ribaj, sepse e njohin grupin dhe dhanë sinjale se diçka po ndryshon. Nuk ka më kohë për eksperimente, duhen plane afatshkurtra. Ndërrimet e shpeshta të trajnerëve nuk i shërbejnë askujt.
Të dielën Flamurtari pret Vllazninë. Si e parashikoni këtë ndeshje?
Kam dëgjuar edhe deklaratën e trajnerit Martini, i cili tha se Vllaznia e respekton Flamurtarin dhe nuk e konsideron si ekip të vendit të fundit. Ata kanë marrë masat e tyre dhe ne duhet ta vlerësojmë maksimalisht këtë ndeshje, sepse për ne çdo sfidë është “jetë a vdekje”. Historikisht kemi zhvilluar ndeshje të bukura me Vllazninë dhe besoj se edhe këtë herë mund të fitojmë.
Nga Vora e poshtë janë disa skuadra në luftë dhe shanset janë të barabarta. Por ne nuk duhet të shohim gabimet e të tjerëve, por të marrim tri pikët tona në çdo ndeshje. Flamurtari ka treguar se ka potencial dhe cilësi, madje ka mposhtur edhe Egnatian, që në vitet e fundit ka qenë një nga ekipet më të forta të kampionatit.
Çfarë ju ka mbetur peng nga karriera juaj si futbollist?
Pavarësisht situatës ekonomike të kohës, jeta e sportistit ka qenë shumë e bukur. Ndoshta privoheshim nga disa kënaqësi që bashkëmoshatarët tanë i kishin, por kemi përjetuar emocione të jashtëzakonshme. Ishin momente të bukura, si për shembull kur shëtisnim në bulevard dhe merrnim përgëzime nga qytetarët. Pengje mund të ketë çdo sportist. Ndoshta do të doja ta menaxhoja edhe më mirë karrierën time, por duhet kuptuar se ishte një periudhë tranzicioni.
Në atë kohë stadiumi mbushej më shumë me tifozë…
Po, një pjesë e madhe e kënaqësisë ishte pikërisht kjo. Edhe pse ekipet ishin më modeste, sidomos pas vitit 1997, ne arrinim t’i sillnim sportdashësit në stadium.
Në Vlorë ndeshjet ishin gjithmonë të luftuara dhe shkallët e stadiumit mbusheshin plot. Ky ishte qëllimi në fund. Edhe këtë sezon e shoh më ndryshe situatën, sidomos pas rehabilitimit të stadiumit. Kushtet janë spektakolare, pothuajse si në Europë. Pa presidentët dhe investimet e tyre, futbolli do të ishte amator. Investimi i tyre duhet përshëndetur, ndërsa për pjesën e fushës duhet që njerëzit e futbollit të japin opinionet dhe kontributin e tyre.
ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL













