“Ndaj Elbasanit nuk vlen loja”, ish-drejtori Laluci: Fitorja detyrim për Flamurtarin
Vangjel Laluci pret vetëm fitoren pe Flamurtarit në ndeshjen që luhet nesër në Vlorë. Gjatë një interviste për “Panorama Sport”, ish-drejtori i klubit thekson se kundërshtari ka lojtarë cilësorë, por vlonjatët nuk duhet t’i druhen.

Laluci shton se dyshja RibajLiçaj ka ndryshuar eatmosferën në skuadër, duke qenë pranë lojtarëve edhe si shokë. Sipas tij, skuadrës nuk i duhet loja e bukur, por vetëm pikët.
Si duket Flamurtari pa Françesko Moriero?
Përveç ndryshimit formal të trajnerit, ka ardhur edhe një ndryshim tjetër që ka dhënë sinjale pozitive, siç e pamë.
Cilat ishin këto ndryshime?
Në këtë ndeshje u përdorën katër mbrojtës dhe u fut Marku në lojë, për të shfrytëzuar eksperiencën e tij dhe për të gjetur vendin e duhur për të. Rahamani mbetet aty ku ka qenë. Në një farë mënyre u rreshtuam me pesë mbrojtës dhe në rast situatash mund ta bësh këtë.
Çfarë ka sjellë dyshja Ribaj-Liçaj në ekip?
Ky ndryshim që kanë bërë tregon se edhe në stërvitje ata bashkëbisedojnë dhe japin ide. Ata janë djem të rinj dhe deri dje luanin edhe vetë.
A ka cilësi Flamurtari?
Ne kemi thënë që cilësia është ajo që është. Tani duhet të zgjidhim lojën. Ta bëjmë sa më të thjeshtë, nëse duam të ngrihemi nga blloku i ulët, duhet të bëjmë një lëvizje vertikale. Markimi i mesfushës deri në sulm duhet të jetë parësor.
Ju bindi loja e skuadrës kundër Vllaznisë?
Nuk ishte loja e bukur, por spektakli nuk na duhet. Ne vuajtëm nga një gol episodik, por këtë herë nuk pësuam. Duhet të mbyllim zonën, ashtu si bëmë edhe ndaj Dinamos. Nuk duhet të pësojmë gola nga gabimet tona.
Sipas jush çfarë duhet të bëjnë lojtarët?
Lojtarët e sulmit duhet të kenë më shumë besim tek vetja. Maksuti pati disa raste për të shfrytëzuar, dhe duhet t’i kishte përdorur më mirë.
Si e shikoni vazhdimësinë e skuadrës?
Flamurtari ka avantazhin se ka pesë ndeshje brenda dhe katër jashtë. Kemi ndeshje me kundërshtarët direkt: Vora dhe Tirana vijnë në Vlorë, me Bylisin luajmë pas Elbasanit. Por nuk duhet të mendojmë shumë larg, duhet të jemi pragmatistë.
Me Elbasanin çfarë prisni?
Fituam me Vllazninë, pse të mos fitojmë edhe me Elbasanin? Me Elbasanin kemi zhvilluar ndeshje të mira dhe kemi marrë edhe pikë. I kemi të gjitha mundësitë që të fitojmë, dhe theksoj: Duhet të fitojmë, jo të barazojmë. Elbasani ka një ekip të mirë, me lojtarë të rinj, sulmin e kanë të mirë, dhe mbrojtjen nuk e kanë të keqe. Portieri është i mirë. Por kjo nuk do të thotë asgjë. Lajthia është super lojtar.
ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL













