Muaj perfekt për kuqeblutë e Vllaznisë, 5 triumfe dhe 0 gola të pësuar
Vllaznia e vitit 2026 ka nisur me marshin e kampionit ku muaji i parë i këtij viti ka qenë një demonstrim force për kuqeblutë, të cilët kanë qenë perfektë në çdo aspekt të lojës, si në Kupë ashtu edhe në kampionat. Rezultatet flasin qartë për një skuadër të pjekur, të organizuar dhe me ambicie të mëdha, që ka vendosur të mos lërë asgjë rastësisë në pjesën e dytë të sezonit.

Në pesë ndeshjet e zhvilluara në të gjitha kompeticionet, Vllaznia ka regjistruar pesë fitore radhazi, duke ruajtur bilanc të plotë suksessesh. Ajo që e bën edhe më të veçantë këtë ecuri është fakti se shkodranët nuk kanë pësuar asnjë gol, duke konfirmuar një mbrojtje të hekurt dhe një disiplinë taktike për t’u admiruar. Rrugëtimi fitues nisi në Kupën e Shqipërisë, aty ku Vllaznia mposhti Pogradecin me rezultatin minimal 1-0.
Një ndeshje e luftuar, ku diferencën e bëri qetësia dhe përvoja e kuqebluve, që arritën të menaxhonin avantazhin dhe të siguronin kualifikimin pa rreziqe të panevojshme. Në kampionat, skuadra e drejtuar nga Martini tregoi menjëherë se nuk njeh kompromis. Fillimisht erdhi suksesi 1-0 ndaj Egnatias, në një përballje të fortë, ku Vllaznia tregoi karakter dhe vendosmëri. Më pas, fitorja 0-2 ndaj Dinamos konfirmoi rritjen e skuadrës, sidomos në fazën ofensive, duke goditur në momentet kyçe të ndeshjes.
Triumfi 1-0 ndaj Partizanit ishte një tjetër provë force për shkodranët, të cilët dominuan taktikisht një rival direkt për zonat e sipërme të renditjes. Kulmi i këtij muaji perfekt erdhi me fitoren 0-1 ndaj Teutës në transfertë, një sukses që kërkoi sakrificë, përqendrim maksimal dhe shpirt gare deri në minutën e fundit. Kjo seri rezultatesh tregon qartë cilësinë dhe rritjen e Vllaznisë në pjesën e dytë të sezonit.
Ekipi i Martinit po shfaq një identitet të qartë loje, një balancë të shkëlqyer mes mbrojtjes dhe sulmit, si dhe një mentalitet fitues që ushqen objektiva ambicioze për tituj. Nëse kjo formë ruhet, Vllaznia jo vetëm që synon trofetë, por po dërgon një mesazh të fortë për të gjithë rivalët, me kuqeblutë që janë gati të shkruajnë histori.
PANORAMASPORT.AL













