Moviola e Superiores/ Saktësi te kartonët e kuq, Partizanit i mungon penallti
Në javën e 28-të të Superiores u shënuan gjithsej 10 gola, ndërsa katër nga ekipet pritëse arritën të triumfonin. Fitorja më e thellë ishte ajo e Tiranës kundër Laçit, ndërsa barazimi i vetëm dhe pa gola ishte Elbasani kundër Skënderbeut.

Përpos tyre, nuk arriti të shënojë as Dinamo, Partizani dhe Teuta. Sa i përket gjykimit, dy penallti u akorduan, përkatësisht për Elbasanin në duelin me korçarët. Mund të themi se ishte një rast i diskutueshëm, pasi penalltia e dhënë nga kryesori Ferataj ishte disi bujare sepse Estrela prek topin me dorë gjatë momentit që topi po largohej nga zona dhe asnjë lojtar i Elbasanit nuk ishte aty pranë.
Megjithatë, kryesori ka qenë i vendosur. Kartoni i kuq i Randi Dumfur ishte evident, pasi mbrojtësi prek topin qëllimisht me dorë për të penguar Lajthinë t’i drejtohej portës.
JORGJI- Histori nuk kishte te penalltia tjetër e akorduar gjatë Egnatia-Dinamo, ku Bakajoko pengohet nga portieri Teqja në zonë. Jorgji ishte i bindur, edhe pse gjatë aksionit, anësori ngriti flamurin për pozicion jashtë loje.
Elbasanasi vijoi lojën dhe më pas dha 11- metërsh. Nga VAR-i u konfirmua se pozicioni i Bakajokos ishte i rregullt. Në fund, kryesori i FIFA-s kishte punë me Regi Lushkjen, i cili, pa kuptuar merr dy kartonë të verdhë të panevojshëm, çka detyrojnë Jorgjin ta ndëshkojë me karton të kuq.
NË SHKODËR- Pas një harkimi në zonë, Jukaj bën një dalje të rrezikshme duke goditur Domgjonin në dyluftimin në ajër. Gjyqtari bën shenjë që të vazhdojë loja, pasi pret edhe VAR-in për konfirmim. Ka një ndërhyrje të Jukajt, që duket në limitet e një penalltie në favor të Partizanit.
Ndërkohë nga ana tjetër, pasi Gruda merr një top në krahun e majtë dhe pason për Balajn, ky i fundit shënon dhe Lata akordon gol. Anësori nuk sinjalizon asgjë, por ndërhyrja e VAR-it anulon golin e kapitenit, pasi Gruda ishte më i avancuar kur mori pasimin. Ndërkohë, i drejtë kartoni i dytë i verdhë për Domgjonin, pasi bën një faull taktik.
PANORAMASPORT.AL













