MOVIOLA E SUPERIORES/ Penallti “fantazmë”, gabojnë Hamiti dhe Florjan Lata

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 16, 2025 | 13:42

MOVIOLA E SUPERIORES/ Penallti “fantazmë”, gabojnë Hamiti dhe Florjan Lata

Ashtu siç shpesh herë kanë ngjyrat e uniformës, të zeza, ashtu ishte edhe kjo javë për gjyqtarët në Superiore. Një gabim i rëndë ka ndodhur në ndeshjen mes Partizanit dhe Egnatias. Kryesori Hamiti ka akorduar një penallti në favor të të kuqve, e cila nga pamjet shihet qartë se Kote shkakton faull ndaj Ujkës dhe duhet të jepet faull në favor të Egnatias.

Ndërhyrja e Kotes ndaj Ujkës që u cilësua si penallti për Partizanin nga Hamiti

Ndërhyrja e Kotes ndaj Ujkës që u cilësua si penallti për Partizanin nga Hamiti

Një gabim i rëndë që nuk falet për një gjyqtar që për më tepër mban edhe stemën e FIFA-s. Po ashtu, në ndeshjen në Shkodër me Vllaznisë dhe Dinamos, kryesori Lata ka akorduar një penallti për vendësit, por nga pamjet shihet qartë se nuk ka një ndërhyrje ndaj Grudës dhe më shumë është në nivelin e simulimit.

Ndërkohë nga ana tjetër, një ndërhyrje e Gurishtës ndaj Zabërgjës nga mbrapa nuk është cilësuar si 11-metërsh, por kontakti ekziston dhe këtu vjen një tjetër gabim i kryesorit. Në Korçë Jorgji nuk ka shumë punë, edhe pse vendësit prentendojnë për një gol, por nga gjyqtarët e sfidës, anësori në këtë rast, nuk është marrë një vendim për të akorduar gol, pasi nuk u kap qartë nëse topi kaloi apo jo vizën.

Diçka të tillë mund ta mundësojë vetëm “Goal Line Technology” (teknologjia e cila mbikëqyr linjën e portës) dhe, nëse topi kalon i gjithi, gjyqtari sinjalizohet tek ora e dorës. Një sistem i cili kushton.

VLLAZNIA-DINAMO 3-0

Gjyqtarë: F. Lata, E. Burgu, Xh. Mani; VAR: E. Rusta; AVAR: O. Yzeiraj

Një episod penallti në pjesën e dytë për Dinamon. Zabërgja pengohet nga mbrapa prej Gurishtës, dhe rrëzohet në zonë. Gjyqtari Lata vijon lojën dhe nuk merr as ndihmën e VAR-it për ta riparë rastin. Megjithatë, edhe pse kryesori vendosi që të mos akordojë penallti, një rast analog në portën tjetër. Gruda rrëzohet në zonë dhe Lata jep sinjalizim për te pika e bardhë. Nga pamjet shihet që nuk ka kontakt nga mbrojtësi dhe lojtari i Vllaznisë është hedhur. Vendim i gabuar.

PARTIZANI-EGNATIA 1-0

Gjyqtarë: E.Hamiti (Lezhë), I.Tartaraj (Fier), E.Gjoka (Lezhë), VAR: K.Cjapi (Fier), AVAR: I.Myrtja (Shkodër)

Ndeshja mes Partizanit dhe Egnatias, e gjykuar nga kryesori Eldorjan Hamiti, pati vetëm një rast kryesor për moviolë, që rezultoi vendimtar edhe për fatin e sfidës. Vendimi i gjyqtarit Hamiti është i gabuar dhe ngriti shumë polemika në këtë takim.

60’ Duel për topin i Ujkës dhe Kotes në zonë, me Hamitin, që akordon penallti menjëherë nga fusha. VAR-i e rishikon gjatë dhe nuk preferon të thërrasë kryesorin për ta rigjykuar rastin. Pamjet janë pa cilësi, por ajo që të krijon idenë më të pastër është kamera nga pas. Mund të themi se është shumë e dyshimtë, por më së shumti anon te një gabim i Hamitit dhe VAR-it më pas. Ujka dhe Kote luftojnë për topin, me mesfushorin e Egnatias që vendos fillimisht këmbën për ta devijuar sferën dhe më pas Kote me një rrëshqitje të këmbës kërkon t’i marrë hapësirën për t’u vendosur para Ujkës dhe për të marrë më pas topin në zotërim. Për të shmangur kontaktin, Ujka kërcen dhe hidhet në tokë. Më së shumti ngjan me një faulli të mesfushorit të Partizanit, që nuk orientohet te topi, por te zënia e hapësirës së kundërshtarit.

90’ Ka një moment të dyshimtë për penallti në favor të Egnatias për prekje me dorë të Bintsukës. Pamjet tregojnë se dora ka qenë e mbyllur dhe penalltia nuk ekziston. Vendim i drejtë i Hamitit.

SKËNDERBEU-TIRANA 1-1

Gjyqtarë: E. Jorgji, D. Rexha, R. Çokaj; VAR: O. Ferataj; AVAR: S. Dyrmishi

Vetëm goditja e mesfushorit Estrela është rasti i dyshimtë për tu diskutuar në këtë sfidë. Një tentativë nga më shumë se 25 metra, e cila ndalet në traversë, bie në tokë dhe futet në lojë. Një moment që nga pamjet e ofruara dhe pa ndihmën e anësorit, nuk mund të themi nëse topi e ka kaluar 100 % vijën fatale. Kështu që gjyqtari lejoi që loja të vazhdonte. Shumë e vështirë të jepet një vendim i saktë, pasi nga pamjet e ofruara nuk shihet qartë pozicioni i topit, ndërsa anësori nuk ka marrë përsipër asgjë.

TEUTA-LAÇI 1-0

Gjyqtarë: K. Barjamaj, M. Qose, E. Ganxhi; VAR: Albert Doda; AVAR: Orlando Kuka

Minuta e 80-të: Penallti për Teutën. Pas një goditjeje dënimi, topi harkohet në zonë ku Molla nuk gjen dot topin por godet Zhongon. Gjyqtari Barjamaj bën shenjë nga pika e penalltisë mes protestave të kurbinasve. Vendim i drejtë. Portieri ka goditur lojtarin e Teutës, i cili ka devijuar topin me kokë. Disa raste të ngjashme në Europë janë akorduar po penallti.

ELBASANI-BYLIS 1-0

Gjyqtarë: J. Xhaja, A. Zalla, R. Avdo (Tiranë) VAR: D. Maletaj (Tiranë) / K. Prenga (Laç)

Elbasani-Bylisi i ishte besuar një tresheje nga kryeqyteti me ndërkombëtarin Juxhin Xhaja. Në tërësi ka qenë një ndeshje e menaxhuar mirë nga arbitrat, por nuk kanë munguar rastet e diskutueshme, të dyja në dëm të Elbasanit. Minuta e 57-të krosim në zonën e Bylisit, largon topin Flamur Ruçi dhe avancon përpara. Verdheblutë pretendojnë për prekje të topit me dorë, ndërsa kryesori vazhdon lojën. Shihet që Xhaja komunikon me VAR-in në kufje, por nuk ka rishikim nga ana e tij. Duket vendim i drejtë i kryesorit.

PANORAMASPORT.AL