Moriero në sulm: E diela është dita jonë, për fitore ndaj Partizanit në shtëpi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 19, 2025 | 8:28

Moriero në sulm: E diela është dita jonë, për fitore ndaj Partizanit në shtëpi

Me Partizanin vetëm për fitore! Flamurtari kërkon kthesën ndaj një rivali historik. Të dielën në Vlorë pritet një përballje me shumë emocion dhe rëndësi, si për pikët në renditje, ashtu edhe për moralin e skuadrës.

moriero

Flamurtari do të përballet me Partizanin në një ndeshje që mund të jetë pika e kthesës për ekipin vlonjat, që pas ndryshimeve të fundit në pankinë, po kërkon fitoren e parë nën drejtimin e trajnerit të ri, Françesko Moriero. Presidenti i Flamurtarit, Sinan Idrizi, këtë herë ka zgjedhur të mos vendosë ultimatum për stafin teknik apo lojtarët. Idrizi ka shprehur besimin e tij të plotë tek projekti i trajnerit italian dhe mënyra sesi ai po tenton të rikthejë shpirtin luftarak të skuadrës. “Besoj se do të shohim një tjetër Flamurtar,” është shprehur shkurtimisht kreu i klubit në takim me bashkëpunëtorët e tij, duke dhënë sinjale se vlonjatët kanë nisur të ndërtojnë diçka të re.

MORIERO PSIKOLOG – Gjatë gjithë javës, Moriero ka qenë figura qendrore në seancat stërvitore jo vetëm në aspektin teknik e taktik, por edhe në ndërtimin e moralit dhe vetëbesimit te grupi. Ai është shfaqur shpesh në kontakt të ngushtë me lojtarët, duke biseduar individualisht me secilin prej tyre, por edhe duke mbajtur disa fjalime të forta motivuese për të ngjallur frymën e skuadrës.

Para grupit, trajneri italian është shprehur me tone të qarta: “Ne jemi Flamurtari! Një klub me histori dhe krenari! Askush nuk ka të drejtë të na shohë si të dorëzuar. Unë kam shumë besim tek ju, sepse e shoh çdo ditë në stërvitje dëshirën, përkushtimin, dhe karakterin tuaj. Kjo ndeshje nuk është thjesht një përballje për tre pikë, por është mundësia jonë për të treguar kush jemi dhe ku duam të shkojmë”, është shprehur italiani para skuadrës.

Moriero ka vënë theksin te rëndësia që skuadra të hyjë me shpirt fitues në fushë, pa frikë dhe me vetëdije të plotë për përgjegjësinë që mban mbi supe: “Do të luajmë kundër një kundërshtari që është në të njëjtat pozita, por ne duhet të jemi ata që të marrim iniciativën, që të sulmojmë, që të shënojmë të parët. Ne nuk kemi më kohë për të humbur. Duhet të largohemi nga kjo situatë e vështirë. E vetmja mënyrë është me punë, karakter dhe me fitore. Të dielën është dita jonë”, mësohet se ka thënë italiani.

SKEMAT E LOJËS – Formacioni mbetet sekret, por shqiptarët presin mundësinë. Përballja ndaj Partizanit mund të sjellë ndryshime edhe në përbërjen e skuadrës. Trajneri Moriero ka zgjedhur të mbajë të fshehtë formacionin zyrtar deri në ditën e ndeshjes, por burime pranë ekipit bëjnë me dije se disa nga lojtarët shqiptarë, si Murataj, Telushi, Ramani dhe Janku, kanë qenë nën vëzhgim të afërt gjatë javës dhe mund të kenë minuta në këtë sfidë. Aktivizimi i tyre mund të sjellë më shumë agresivitet dhe përvojë në mesfushë dhe prapavijë.

MUNGESA DHE NDËSHKIME – Flamurtari do të duhet të përballojë një mungesë të rëndësishme në repartin ofensiv. Vega, që u ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen ndaj Dinamos, nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit për këtë sfidë. Moriero duhet të gjejë zgjidhje të reja në sulm, duke u mbështetur ndoshta te lojtarë më të rinj ose duke ndryshuar skemën taktike.

PËRBALLJE ME TË KALUARËN – “Ish”-ët përballë Partizanit. Katër nga futbollistët aktualë të Flamurtarit kanë një të kaluar me Partizanin: Bruno Telushi, Valentino Murataj, Idriz Batha dhe Stivian Janku. Të dielën, për ta do të jetë një ndeshje me shumë emocion, një rikthim simbolik përballë një ish-fanellë që tashmë do të përpiqen ta mposhtin për të mbrojtur ngjyrat kuqezi të Vlorës. Kjo shton edhe më shumë ngarkesën emocionale të takimit dhe dëshirën për të dhënë maksimumin në fushë.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL