Mladen Milinkoviç, si e gjen trajneri i ri Partizanin
Transferimi i fundit i Partizanit ishte i Viktor Da Silvës. Braziliani rikthehet te të kuqtë si zëvendësues i Kekos së dëmtuar, por edhe Zekës që la ekipin para ndeshjeve në Europë.
Deri tani Partizani ka pesë afrime dhe nëntë largime. Bie në sy se janë evituar shpenzimet për blerjet e kartonit. Kështu me Partizanin janë bashkuar lojtarë që kanë përfunduar kontratat me klubet e mëparshme.
MESFUSHA– Fokusi kryesor i Partizanit në merkaton e verës është tashmë në repartin e mesfushës. Të kuqtë kanë disa alternativa, megjithatë Rrapaj dhe Maget nuk kanë pasur zëvendësues të denjë dhe mungesa e tyre bie në sy. Dhe pse nuk ka pasur asnjë afrim, Taipi dhe Mintongo janë larguar nga të kuqtë. Në vazhdim priten deri në dy transferime, që mund të bëjnë diferencën.
SULMI- Partizani ka përforcuar skuadrën me katër sulmues. Kështu reparti ofensiv është ribërë nga fillimi. Skuka, Isgandarli, Garsia dhe Da Silva shtojnë besimin se Partizani do të funksionojë sërish në sulm. Merkato mund të quhet e mbyllur në atë repart, dhe pse si gjithmonë nuk përjashtohet mundësia për ndonjë surprizë. Rikthimi i Kekos nga dëmtimi disa muaj më pas, do të shtojë konkurrencën në sulm.
MARTINEZ- Partizani ka vetëm një alternativë natyrale, për krahun e djathtë të mbrojtjes. Bëhet fjalë për Karlos Martinez, që është një nga pesë afrimet e verës. Janjeva po ashtu ka bërë mirë në atë repart, megjithatë pozicioni i tij natyral është në qendrën e mbrojtjes. Prezantimi i ndonjë lojtari në linjën e djathtë do të mirëpritej nga të gjithë. Jo vetëm do të shtonte konkurrencën, por do të siguronte më tepër siguri për çdo rast.
BINTSUKA- Arshonzh Bintsuka pranoi në rinovonte me Partizanin. Klubi po pret rikthimin e tij në skuadër. Me transferimin e tij më shumë se tre vite më parë, Partizani i dha mundësinë të luajë në Europë. Bintsuka ka spikatur edhe me huazimin te Drenica. Në rast se rikthehet, pritet të bëhet alternativë e rëndësishme për ekipin e parë.
LARGIMET- Partizani mund të ndërtojë dy formacione, edhe nëse largon lojtarë. Sembene dhe Preka janë dyshja që kanë marrë oferta. Megjithatë, te Partizani nuk do i largojnë pa afruar të ardhura të konsiderueshme. Kjo është arsyeja përse deri tani nuk ka pasur asnjë shitje. Më parë janë larguar, Eleke, Padstrelau, Zeka, Taipi, Domgjoni, Vujnoviç, Shala, Osmanllari dhe Mintongo. Këto futbollistë ishin pjesë e skuadrës që mbylli edicionin e kaluar.
EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL













