Misioni për katërshen, Partizanit i dëmtohen dy titullarë
Misioni i Partizanit nuk ka përfunduar ende, madje është në kulmin e vet dhe në fazën më vendimtare. Humbje në derbi i la të kuqtë të pezmatuar dhe krijoi idenë e një dështimi total, por vjen ndeshja me Egnatian dhe “Demat” kthehen sërish në jetë.

Një penallti e shënuar nga Albers Keko rikthen të kuqtë te fitorja dhe Elbasani vijon të jetë një pikë larg. Por skuadra e Gegës pati edhe probleme sa i përket dëmtimeve në këtë ndeshje të fundit. Agim Zeka pësoi goditje dhe pati një dëmtim, që në minutat e para të sfidës. Sulmuesi provoi të kthehej në fushë, por nuk ia doli dhe la fushën duke çaluar.
Sot Zeka pritej të kryejë ekzaminimet mjekësore për të parë shkallën e dëmtimit, që do të caktojë edhe nëse mund të jetë gati kundër Bylisit, apo jo. E ngjashme është edhe situata me Domgjonin, i cili pësoi një dëmtim muskulor në minutën e 83-të dhe me sakrificë dhe duke çaluar, arriti të mbyllë ndeshjen, për shkak se nuk mund të dilte nga loja prej plotësimit të zëvendësimeve nga ana e trajnerit Gega.
Edhe për mbrojtësin priteshin vizitat ditën e sotme, teksa nisur nga koha e shkurtër për rikuperim, vështirë se kjo dyshe do të jenë në dispozicion të trajnerit Gega në ndeshjen e së shtunës kundër Bylisit në stadiumin “Adush Muçaj”. Të kuqtë kanë detyrën e vështirë për të fituar këtë transfertë dhe mbajtur pas Elbasanin.
PANORAMASPORT.AL













