“Ministri tha se na ka dhënë urdhër shef Edi”/ Lajmi që të gjithë presin te Partizani, presidenti Gaz Demi e konfirmon: Për 10 ditë do…
Presidenti i Partizanit, Gazment Demi, ka folur për të kuqtë që po shkëlqejnë me pesë fitore radhazi. Demi konfirmoi pjesëmarrjen në Europë si objektiv, ndërsa tregoi edhe për vazhdimin e punimeve në Kompleksin Partizani.

I pyetur nëse nuk arrihet pjesëmarrja në Europë, Demi u shpreh: “Të falimentuar komplet. Që nga unë i pari, Partizani dhe të gjithë drejtuesit e mi”. Më tej ndërkohë preku edhe ligjin e sponsorizimit, që pritet prej vitesh.
“Europa po nuk shkove në grupe, dmth bën ca minimizime, por nuk del asnjëherë aty ku duhet. Kryeministri ynë i dashur ka dhënë fjalën që do të bëhet ligji i sponsorizimeve. Komunikon me presidentin Duka dhe ne nga Duka marrim vesh se është afër puna. Më shumë nuk dimë, takova dhe një herë ministrin dhe ai na thotë se na ka dhënë urdhër shef Edi që do ta bëjmë. Pa u bërë kjo jemi të gjithë klubet shumë dobët. Shumë thonë Europa, por po nuk shkove në grupe ke bërë vetëm zbutje të vogla. Neve na ka mbajtur shitja e lojtarëve dhe dalja në Europë. Pse them falimentim? Nuk është puna vetëm te financat. Ne jemi ekipi që kemi koeficientin më të lartë në Shqipëri dhe parimisht ndeshjet na bien më të lehta se të të tjerëve . Ky vit duhet të jetë viti që ne duhet të luftojmë për grupet e Ligës së Konferencës. Për këtë e them fjalën faliment”, tha në fjalën e tij Demi.
Lajmet e mira vijnë sa i përket Kompleksit Partizani. Aty ku do të ketë edhe tri fusha në dispozicion. “Për nja 10 ditë ne mendojmë që të fillojë puna. Do të kem shumë dashuri që ta mbarojmë punën, jo për vitin tjetër kur të jetë kampionati europian, sepse është miratuar edhe stadiumi ynë aty, por të jetë gati për fillimin e sezonin tjetër. Që çdo ndeshje të bëhet atje, të përfundohet rruga e të gjitha”, e mbylli fjalën e tij presidenti i Partizanit për “Report TV”.
PANORAMASPORT.AL













