Milinkoviç detyrohet të ndryshojë, Sembene është mungesë e sigurt për të kuqtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 11, 2025 | 22:57

Milinkoviç detyrohet të ndryshojë, Sembene është mungesë e sigurt për të kuqtë

Partizani është përballë një testi të vërtetë. Transferta e Vllaznisë shikohet si më e vështira te Partizani prej tri vitesh. Asnjë fitore e arritur, ndërsa do të tentohet të shtunën. Sfida me kuqeblutë do të nisë në orën 19:00 dhe vlen për javën e tretë të Superiores. Mladen Milinkoviç, i detyruar, projekton disa ndryshime.

SEMBENE

MUNGESAT DHE RIKTHIMET- Saliu Sembene është mungesë e sigurt për sfidën e së shtunës. Mbrojtësi u dëmtua ndaj Teutës dhe la fushën e lojës në pjesën e dytë. Për këtë do i duhet disa kohë, që të rikuperohet. Pjesa tjetër gjatë kësaj kohe është stërvitur normalisht nën drejtimin e Milinkoviç. Me grupin janë bashkuar edhe lojtarët, që prej angazhimit me moshat e Kombëtares i kishin munguar Milinkoviçit. Toma është emri i ri në lupën e stafit teknik.

MBROJTJA- Dilema ka këtë herë në mbrojtje edhe në sulm. Si fillim duhet bërë reparti difensiv, që të japë garanci si me Vorën dhe Teutën. Preka dhe Atanaskoski me shumë gjasa do e nisin nga minuta e parë. Më pas pritet të aktivizohen nga fillimi edhe Bytyçi me Janjevën, ndërsa mbetet për t’u parë kush do luajë në krahun e djathtë dhe cili prej tyre në qendër. Bashkë kanë sakrifikuar më parë për skuadën në krahun e djathtë, ndërsa si pozicion natyral kanë qendrën e mbrojtjes.

ISMAILI DHE MEHMETI- Para mbrojtjes shikohen Mehmeti dhe Ismaili si alternativat kryesore për momentin. Ky i fundit ka bërë mjaft mirë, duke ndihmuar me ndërprerjet e aksioneve kundërshtare në dy javët e para. Bashkë kanë luajtur nga minuta e parë në dy javë dhe nëse nuk ka ndonjë të papritur, atëherë do të kenë sërish mundësinë.

PARA SULMIT- Në repartin ofensiv, askush nuk e ka vendin e sigurt. Dhe kjo është e pritshme, duke marrë parasysh se asnjë gol nuk mban firmën e ndonjë lojtari të Partizanit në dy javët e para. Garsia ka gjasa të kthehet titullar, megjithatë një pjesë e rëndësishme e formacionit varet nga Qokthi dhe Gudjufi. Në rast se Qokthi do të aktivizohet, atëherë do të kishte balotazh mes Gudjufit dhe Garsias. Isgandarli ndërkohë duhet akoma të tregojë veten te Partizani. Për këtë minutat nuk do mungojnë. Besimi te sulmuesi azer është i madh duke qenë se ishte ndër afrimet e bujshme të kësaj merkato. Për më tepër edhe sulmues që e njeh kampionatin shqiptar.

SKUKA- Sulmuesi dibran ka lënë pas një situatë të pakëndshme te Partizani. Po ashtu për të mund të jetë tashmë mundësia, që të luajë nga minuta e parë në një ndeshje kampionati. Cilësitë e Skukës nuk vendosen në diskutim, ndërsa tashmë duhen vetëm puna që t’i vendosë në pah. Në “Loro Boriçi” mund të jetë zgjedhje për ta filluar nga minuta e parë. Arshonzh Bintsuka akoma nuk është gati në 100% të formës, për të luajtur titullar.

Ky është formacioni i mundshëm aktualisht, sipas “Panorama Sport”. Nga ndeshja e fundit me Teutën do të kishte tre ndryshime, për lojtarët që e nisin nga minuta e parë. Stoli, ndryshe nga dy javët e para, do të mbajë një peshë shumë të rëndësishme. Emra që shumë mirë mund të aktivizohen si titullar, do të jenë aty. Gjatë minutave që do fitojnë, duhet të tregojnë veten.

sdffdsfdsfsdsfdsfdfd

EMANUEL LOCI – PANORAMASPORT.AL