Mesfushori shkatërrues flet për Vorën, premtimi i Dalipit: 2025-ën e mbyllim pa humbje
Vora nuk ka kohë të humbasë dhe menjëherë pas kthimit nga Shkodra, për të nuk ka pushim. Menjëherë ditën e premte ekipi ka dalë në stërvitje për tu përgatitur për ndeshjen e radhës, të cilën do ta luaj të hënën, kundër Egnatias në Rrogozhinë.
NGA UEST HEM TE VORA – Vora ka disa lojtarë kombëtaresh të moshave dhe të rriturish, të cilët kanë lindur dhe janë rritur jashtë vendit dhe një prej tyre u shfaq si lojtari më i mirë i ndeshjes. Ai është me dy shtetësi atë të vendlindjes Britanike dhe atë të origjinës Shqiptare. Ai është 24-vjeçari Kevin Dalipi i lindur në Londër dhe formuar si futbollist tek Uest Hem, që rol të preferuar ka atë të mesfushorit shkatërrues dhe tek Vora po e kryen më së miri këtë rol. Edhe në ndeshjen ndaj Vllaznisë ai ishte nga më të mirë dhe jo më kot pas ndeshjes u përcaktua si lojtar i ndeshjes.
Erdhi te Vora më 1 qershor 2023, kur sapo kishte mbushur 22 vjeç dhe sapo kishte dalë nga Akademia londineze e futbollit “Uest Hem United”, duke firmosur për Vorën deri në vitin 2026 në atë kohë në kategorinë e dytë. Kjo tregoi edhe një herë largpamësinë e menaxherëve vorakë, për të arritur këtë sukses të këtij futbollisti me mjaft perspektivë. Ndërsa në një prononcim për “Panorama Sport” ditën e djeshme lidhur me takimin që do të zhvillojnë të hënën kundër Egnatias ai tregon objektivin.
“Këtu te Vora qëllimi im është që të rris më shumë performancën time në mënyrë që të bëhem një futbollist i kërkuar. Për këtë arritje të deritanishme falënderoj të gjithë stafin teknik pa përjashtim, duke nisur nga stërvitësi atletik e deri tek trajneri Bellaj. Këtu tek Vora stërvitja nuk ka shumë ndryshime me vendin britanik ku unë jam lindur dhe rritur. Ndërsa lidhur me ndeshjen e radhës kundër Egnatias, kërkojmë që të vazhdojmë ecurinë pozitive deri në fund të këtij viti ku të paktën nuk dëshirojmë të humbasin asnjë prej këtyre ndeshjeve. Edhe ndaj Egnatias luftojmë për fitore, por edhe barazimi do të na kënaqte për të shmangur humbjen”, tha ai.
ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL













