Mesfushori i Vorës, Kasalla: Mbijetesa jonë vuloset kundër bardhebluve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 22, 2026 | 10:23

Mesfushori i Vorës, Kasalla: Mbijetesa jonë vuloset kundër bardhebluve

Vora do të luajë sot në stadiumin “Selman Stermasi”, kundër Tiranës, në orën 15:00. Sezoni aktual, i pari sezon historik në Superiore i ka gjetur mirë blutë periferik të kryeqytetit.

kasalla

Në kampin vorak, tashmë ka ardhur momenti që nuk ka më tolerime, përveç fitores edhe pse kjo fundjavë i pret në një ndeshje deçizive mes dy rivalësh të luftës për mbijetesë. Ka dy javë që Vora ndodhet në zonë e “ftohtë” të zonës “play out”, duke u pozicionuar e teta dhe objektivi i vetëm i tyre mbetet. Qëndrimi me çdo kusht në elitën e futbollit shqiptar. Aktualisht, Vora ndodhet në vendin e tetë me 27 pikë në 28 ndeshje, duke qenë në pikë të barabarta me Bylisin e vendit të 7- të dhe tre pikë më shumë se Tirana e vendit të 9-të.

“Vora nuk është për mbijetesë, ne do ta fitojmë miniderbin me Tiranën dhe do të vulosim vazhdimin e rrugëtimit tonë me skuadrat e elitës”, shprehet që në fillim 23-vjeçari krutan, Irgi Kasalla, që e ka sezonin e parë në Superioren shqiptare, duke u aktivizuar në 27 ndeshje me Vorën dhe ka shënuar 7 gola, duke qenë golashënuesi më i mirë i skuadrës vorake. Duke vijuar më tej lidhur me shqetësimin që skuadra nuk po arrin fitoren prej 10 javësh, ai shprehet se ekipi do të reagojë.

“Të them të drejtën është një fakt, që na shqetëson shumë ngaqë ne i kemi pasur mundësitë për të fituar. Me lojërat që kemi zhvilluar dhe me rastet që kemi krijuar ne duhet, të kishim më shumë fitore dhe aspak nuk duhej të ishim në këtë pozicion. Dhe shqetësimi ynë vjen nga pozicioni dobët që kemi në renditje. Mendoj se ekipi ynë do të gjej forcat, po ashtu edhe unë vetë si person për ta motivuar ekipin e për të shkuar sa më lart, duke kaluar këtë pozicion që nuk na takon ne”, tha ai.

Më tej Kasalla sqaron se si mund ta kalojë Vora, këtë presion. “Të them të drejtën ne duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, pasi jemi një ekip debutues dhe nuk duhet të kërkojmë më shumë se mbijetesën, duke i parë ndeshjet një e nga një. Të gjitha përpjekjet tona, në këtë fazë kampionati, janë që ne të shohim se si mund të largohemi nga kjo zonë e “ftohtë” dimërore. Dhe 22 marsi është dita e pranverës kur shkrin dëbora e ne do dalim nga të “ftohtit”. Pra kjo është e pranverës sonë. Fitorja ndaj Tiranës vulos përfundimisht mbijetesën tonë”, deklaroi Kasalla. Më pas, lidhur me takimin e nesërm kundër Tiranës, Kasalla e cilëson, si një ndeshje shumë të fortë dhe vendimtare, por që kërkon dhe shumë fat për ekipin e tij.

“Do të jetë një ndeshje shumë e fortë dhe mjaft vendimtare për ne, por shumë e vështirë për ta fituar. E për të arritur këtë, te ne duhet të mbizotërojë qetësia, sepse paniku është tek kundërshtari, që ndodhet poshtë nesh në renditje. Tirana ndodhet në krizë e ne duhet ta shfrytëzojmë me qetësi këtë faktor. Por njëkohësisht një dorë, besoj se na jep edhe fati në këtë ndeshje. Uroj që atë ta kemi me vete”, ka deklaruar në prononcimin e tij, sulmuesi i djathtë vorak, që erdhi nga Korabi, por që u bë lojtari surprizë në superiore, Irgi Kasalla. Në fund t ai ka dhe një mesazh për tifozët e Vorës. “Do t’u bëja thirrje tifozëve, të jenë sa më të shumtë në stadiumin “Selman Stërmasi”, pasi ata janë një lojtar që na shërben, për të na dhënë adrenalinën e fitores. Tifozët vorakë gjithmonë kanë qenë sensibël në çdo ndeshje dhe nuk bën përjashtim as ky takim, që do të jenë të shumtë në mbështetje të skuadrës sonë”, mbylli Kasalla.

ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL