Mesfushori i Teutës, Vila: Ndeshje delikate me korçarët, fitorja detyrim
Në vigjilje të ndeshjes së sotme në Durrës ndaj Skënderbeut, në orën 17:00, në një intervistë për “Panorama Sport”, ka folur mesfushori i Teutës, Emiliano Vila, i cili ka analizuar këtë takim.
Vila shprehet se Teuta, pas një jave të mirë përgatitjesh, do të kërkojë tri pikët. Mesfushori i bluve shprehet se në këto momente nuk duhet parë renditja, por të merren ndeshjet një e nga një.
Pas disa ditësh përgatitjeje, a është gati Teuta për Skënderbeun?
Ne jemi gati në çdo moment, sepse jetojmë çdo ditë në këtë mënyrë, duke u stërvitur, duke mbajtur regjim dhe duke iu përkushtuar futbollit. Kjo ka qenë periudhë shumë e rëndësishme dhe e dobishme, sepse po e përgatisim me qetësi takimin ndaj Skënderbeut. Jemi duke u përgatitur në maksimum dhe mezi e presim ndeshjen.
Si e prisni këtë ndeshje, është detyrim fitorja?
Është shumë e rëndësishme, sidomos pas atij barazimi në javën e kaluar. Kemi lënë pikë në ndeshjet e fundit. Duhet të vijomë të punojmë fort që të arrijmë te suksesi. Dua të them që përgjatë 90 minutave do të japim gjithçka për të marrë maksimumin. Të gjithë duhet të tregojmë atë çka kemi punuar deri tani dhe ka ardhur momenti për të treguar fytyrën tonë të vërtetë në një ndeshje kaq deçizive si kjo ndaj Skënderbeut. Janë edhe shumë ndeshje në kampionat, ku duhet të marrim maksimumin në çdo sfidë.
Si Teuta, edhe Skënderbeu, vijnë në këtë ndeshje më pikë të barabarta. Sa ua vështirëson kjo?
Sigurisht që për të dyja ekipet është një situatë pak e vështirë. Unë mund të flas për ekipin tim, jo kundërshtarin. Pavarësisht rezultateve jo të mira, në ekip mbizotëron besimi, entuziazmi, që na jep shpresë për ndeshjen e ardhshme.
Cilët janë objektivat tuaj për këtë sezon?
Qëllimi primar është përmirësimi dhe deri më tani ia kemi dalë me sukses. Duhet t’i marrim ndeshjet me radhë e të fitojmë sa më shumë prej tyre. Llogaritë në fund të sezonit do të na tregojnë se çfarë kemi arritur.
ZAMIR QYPI-PANORAMASPORT.AL













